Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Shefi i olimpiadës së Tokios jep dorëheqje për shkak të komenteve seksiste

QIKA 22.2.2021

Udhëheqësi i komitetit organizues të Lojrave Olimpike të Tokios, Yoshiro Mori, ka dhënë dorëheqje me 12 Shkurt të këtij viti pas reagimeve të ashpra për shprehjet seksiste që kishte përdorur një javë më parë.

Në një mbledhje më 3 shkurt, Mori tha se gratë flasin shumë nëpër takime. “Nëse e rrisim numrin e grave në bord, duhet të sigurohemi që të kufizojmë kohën që ato kanë në dispozicion për të folur, ato e kanë të vështirë të përfundojnë fjalimet, gjë që është e mërzitshme” tha ai. Të nesërmen Mori kërkoi falje por shtoi që nuk është duke e konsideruar dorëheqjen, raporton TIME.

“Komente të tilla ka pasur shumë nga politikanë dhe njerëz edhe më përpara, por kurrë nuk kanë dhënë dorëheqje” tha Kazuko Fukunda e cila nisi një peticion që kërkonte të ndërmerren masa kundër Morit. “Këto komente dhe këto sjellje janë diçka me të cilën përballemi çdo ditë” shtoi ajo.

Gjatë kohës që po deklaronte dorëheqjen, Mori mbrojti veten duke thënë që gjatë karrierës së tij ka punuar për t`i mbështetur gratë. Sidoqoftë, ai tani konsideron që gjëja më e rëndësishme është të mbahen Lojrat Oplimike këtë korrik kështu që nuk do që të bëhet pengesë për këtë qëllim.

Aktivistët për të drejtat e grave thanë që deklaratat e Yoshiro Morit ilustrojnë problemet me të cilat ballafaqohen gratë në Japoni, shtet i cili renditet i 121-ti nga 153 shtete në raportin e vitit 2020 për hendekun gjinor të Forumit Ekonomik Botëror.