Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Fillojnë përgatitjet për marshin dhe aksionet protestuese të 8 marsit

QIKA 24.2.2021

Me sloganin “MARSHOJMË S’FESTOJMË KUNDËR PATRIARKATIT QË VRET” do shënohet dita ndërkombëtare e gruas në Kosovë. Duke pasur parasysh përshkallëzimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave gjatë viteve të fundit, tema qendrore e organizimit të sivjetmë do të jetë femicidi.

“Në këtë ditë, do të përkujtojmë të gjitha gratë që u vranë veç pse ishin gra dhe do të kërkojmë drejtësi nga një shtet që i legjitimoi këto krime”, thuhet në deklaratën e Kolektivit Marshojmë S’festojmë që janë edhe organizatorë të aktiviteteve protestuese për 8 mars tash e sa vite.

Shifra alarmante të dhunës në familje janë raportuar muajve të fundit në Kosovë, kjo edhe si pasojë e izolimit për shkak të masave parandaluese të COVID19. Papërgjegjësia institucionale karshi rasteve të dhunës ka bërë që gratë të ndihen të pasigurta e shpesh të gjejnë edhe vdekjen brenda shtëpive të tyre.

Kolektivi Marshojmë S’festojmë ka thënë për QIKA se përgatitjet për marshin protestues në Prishtinë tashmë kanë filluar duke shtuar se një numër i konsiderueshëm i aktivistëve po punojnë për këtë organizim.

“Për ne është jashtëzakonisht shqetësues fakti që vetëm brenda një viti në Kosovë vriten 6 gra dhe shteti e shoqëria heshtin dhe i kalojnë si “kronika të zeza”. Andaj, këtë 8 mars duam ta spikasim shtypjen dhe dhunën sistematike që gratë e përjetojnë e që rezulton në vrasje të grave nga burrat. Gjithsesi, vëmendja jonë qëndron mbi shtypjen ekonomike, shoqërore e politike që gratë e përjetojnë, të cilët ne i konsiderojmë si faktorët kyç që çojnë në vrasjen e tyre”, kanë deklaruar ky kolektiv.

Sipas tyre dhuna dhe vrasja e grave nuk janë ndodhi periferike të cilat duhet trajtuar si raste individuale, pasiqë prapa tyre qëndron një sistem i tërë politik i cili e ushqen mendësinë patriarkale.

Përveç marshit, më 8 mars do të shpalosen çarçafë të mëdhenj me thirrje që kundërshtojnë femicidin në disa prej institucioneve kryesore. Këto çarçafë përveç Prishtinës, do të shpalosen edhe në 13 komuna të tjera të Kosovës. Poashtu organizatorët ftojnë gratë dhe burrat anembanë Kosovës që të bashkangjiten në protestë me çarçafë nga ballkonet e shtëpive dhe banesave të tyre.

“Për ne si kolektiv, simbolika e çarçafëve është tejet e rëndësishme duke qenë që çarçafët zënë një vend të rëndësishëm në shtypjen e grave në familjet kosovare, meqë paraqesin mishërim të moralit të grave dhe punës së papaguar të tyre dhe shpesh kthehet në vendin ku gratë dhunohen dhe vriten. Këtë 8 mars, duam ta rimarrim simbolikën e çarçafëve nga shtypje, ta kthejmë në revoltë të të gjitha grave në Kosovë”, ka deklaruar Kolektivi Marshojmë S’festojmë.

Marshi protestues i 8 marsit fillon në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.