Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Pas divorcit, gjykata në Kinë urdhëron burrin të paguajë gruan për punët e shtëpisë

QIKA 25.2.2021

Gjykata e Qarkut në Fangshan të Pekinit urdhëroi një burrë që të kompensojë gruan e tij për punët e shtëpisë që ajo kishte bërë gjatë kohës sa ishin të martuar. Ky vendim historik është i pari i këtij lloji në botë.

Sipas të dhënave të Gjykatës, z. Chen ishte martuar me znj. Wang në vitin 2015, dhe vitin e kaluar ai kishte bërë kërkesë për divorc. Gjatë divorcit znj. Wang kërkoi kompensim financiar, duke pohuar se ish-bashkëshorti i saj nuk ishte marrë asnjeherë me punët e shtëpisë si dhe nuk ishte kujdesur për djalin e tyre.

Gjykata, vendosi në favor të znj. Wang duke urdhëruar që ish-burri i saj të paguante alimentacion prej 2000 juan në muaj, si dhe të kompensonte ish-bashkëshorten me 50,000 juan për pesë vite punë të papaguar. Ky vendim erdhi si pasojë e kodit të ri civil të Kinës, ku thuhet se bashkëshorti/ja ka të drejtë të kërkojë kompensim në divorc, nëse ai/ajo ka mbajtur më shumë përgjegjësi sa i përket punëve të shtëpisë, kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit, raporton BBC.

Ky rast ngjalli shumë debate në internet, duke thënë se shuma e kompensimit ishte shumë e vogël dhe se burrat duhet të marrin më shumë përgjegjësi sa i përket punëve shtëpiake. Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), në Kinë gratë shpenzojnë gati katër orë në ditë në punë të papaguar, pra rreth 2.5 herë më shumë se burrat.

Megjithatë, ky vendim shërben si një këndellje e shoqërisë në njohjen e punës që bëjnë gratë, si dhe thirrje për ndarje të barabartë të punëve të shtëpisë.