Gratë me origjinë nga Bangladeshi dhe Pakistani në Mbretërinë e Bashkuar po fitojnë mesatarisht një të tretën më pak se burrat e bardhë britanez, një hendek i pagave që aktivistët po e kundërshtojnë fuqishëm.
Këto të dhëna vinë nga Fawcett Society që publikon ato në Ditën e Hendekut të Pagave sipas Etnisë.
Kjo analizë e të dhënave të pagave zbulon gjithashtu se gratë me origjinë nga Karaibet paguhen një çerek më pak para se homologët e tyre burra. Studiuesit kanë gërmuar në statistikat e zbuluara në një raport të madh të hendekut gjinor të botuar nëntorin e kaluar.
“Hendeku i pagave në bazë të etnisë po krijonte telashe të dyfishta për gratë e zeza dhe ato të minoriteteve”, tha Alesha De-Freitas, shefja e politikave në Fawcett. “Shifrat që kemi këtu janë shumë të zymta dhe fakti që gratë me origjinë nga Bangladeshi fitojnë pothuajse një të tretën më pak se burrat e bardhë britanikë duhet të shkaktojë zemërim kombëtar”, shtoi ajo.
Analiza poashtu tregon se ka një hendek pagash prej 14.7% midis grave me origjinë nga Bangladeshi dhe Pakistani dhe grave të bardha britanike.
Dianne Greyson, themeluesja e grupit të fushatës që krijoi Ditën e Hendekut të Pagave sipas Etnisë, i bëri thirrje qeverisë të prezantojë raportimin e detyrueshëm të diferencës së pagave sipas përkatësisë etnike. “Në fund të fundit, nëse kompanitë nuk e dinë se cili është diferenca e tyre e pagave dhe kë godet ajo më shumë, atëherë si mund të fillojnë ta mbyllin hendekun? Ne kemi nevojë për më shumë punëdhënës që të ndajnë njohuritë dhe ta vendosin këtë çështje në krye të agjendës së tyre. Mezi pres ta diskutojmë këtë më tej në samitin tonë të hendekut të pagave etnike në shkurt”, deklaroi ajo.