Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Liderët nëpër botë po dështojnë të garantojnë respektimin e të drejtave të njeriut

QIKA 19.1.2024

Raporti vjetor i Human Rights Watch (HRW) ngreh shqetësimin lidhur me gjendjen e të drejtave të njeriut në mbarë botën pasi liderët shmangin detyrimet e tyre për të respektuar ligjin ndërkombëtar.

Raporti i cili ofron përmbledhje të të dhënave nga të gjitha vendet e botës lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut në vitin 2023, vë theksin tek mospërfillja në rritje e liderëve politikë për ligjet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. “Indinjata selektive e qeverisë, diplomacia transaksionale dhe standardet e dyfishta në njohjen e ligjeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë vënë në rrezik jetë të panumërta”, thuhet në raport.

Tirana Hassan, drejtore ekzekutive e HRW, tha: “Sulmet e vazhdueshme ndaj të drejtave të njeriut  po përhapen në mbarë botën meqë qeveritë largohen nga detyrimet e tyre ligjore për të drejtat e njeriut për përfitime afatshkurtra politike duke kërkuar që të konsolidojnë pushtetin. Ajo që kemi parë nga Vietnami në El Salvador është se gjëja e parë që bëjnë qeveritë represive është që të përdorin sigurinë shtetërore ose vlerat familjare për të lehtësuar shtypjen ndaj komunitetit LGBTQ+, të drejtave të grave dhe refugjatëve”.

Sipas gjetjeve të raportit, në Afganistan, të drejtat e grave vazhduan të shtypeshin nga talebanët dhe bota nuk ka arritur të veprojë dhe të parandalojë abuzimet në shkallë të gjerë dhe të tmerrshme kundër civilëve në Sudan, veçanërisht në Darfur, raporton The Guardian.

Aleatët e SHBA-së, përfshirë Arabinë Saudite, Indinë dhe Egjiptin, vazhdojnë të shkelin të drejtat e njeriut të popujve të tyre pa u ndëshkuar dhe Bashkimi Evropian ka vazhduar shtypjen e azilkërkuesve dhe refugjatëve.