Si pjesë e fushatës së Presidentit Biden është publikuar një video që paraqet përvojën e një gruaje që u detyrua të largohej nga Teksasi për t’i dhënë fund një shtatzënie që e vuri jetën e saj në rrezik.
Në videon prej 60 sekondave, Dr. Austin Dennard, gjinekologe dhe nënë e tre fëmijëve nga Teksasi, tregon se ajo ishte shtatzënë me një fëmijë që ajo e kishte planifikuar për një kohë të gjatë. Në javën e 11 të shtatzënisë, fetusi i saj u diagnostikua me anencefali, një gjendje fatale në të cilën një fëmijë lind pa pjesë të trurit dhe kafkës.
“Në Teksas, detyroheni të mbani edhe këtë lloj shtatzënie dhe kjo vjen si pasojë e përmbysjes së Roe vs Wade. Është makthi më i keq i çdo gruaje” thotë Dennard në video.
Video është pjesë e një përpjekjeje të ekipit të Biden për të orientuar fushatën e tij rreth të drejtave të abortit, gjë që ka mobilizuar votuesit që kur Gjykata e Lartë goditi Roe vs Wade në qershor të vitit 2022.
Presidenti Biden, zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe drejtuesit/et kryesorë/e të fushatës kanë planifikuar një valë eventesh javën e ardhshme duke bërë thirrje për mbrojtjen e të drejtave të abortit. Demokratët argumentojnë se qasja në abort është një nga shumë të drejta dhe liri personale që do të mohohen nëse Trump fiton zgjedhjet e ardhshme.
Dr. Dennard është një nga shumë gra që kanë paditur shtetin e Teksasit që u ka ndaluar kryerjen e aborteve edhe në raste të urgjencave shëndetësore. “Edhe shtatzënitë e planifikuara mund të përfundojnë me abort. Shteti i Teksasit nuk duhet t’i marrë këto vendime për mua apo për dikë tjetër”, deklaron ajo.