Gazetaret iraniane, Niloofar Hamedi dhe Elaheh Mohammadi u akuzuan dhe u shpallën fajtore në vitin 2023 për përhapje të propagandës, veprime kundër sigurisë kombëtare, dhe bashkëpunim me një shtet të huaj, për shkak të mbulimit medial të vdekjes së Mahsa Amini-t.
Hamedi dhe Mohammadi ishin ndër gazetaret e para që raportuan për vdekjen e Mahsa Amini-t, e cila vdiq në paraburgim policor, vdekja e së cilës shkaktoi protesta mbarëkombëtare në vitin 2022. Ato u arrestuan disa ditë pasi njerëzit në të gjithë vendin protestuan kundër regjimit. Këto protesta rezultuan me vdekjen e të paktën 522 personave dhe më shumë se 20,000 arrestime.
Ato u liruan me kusht nga burgu në Iran të dielën, pasi kishin kaluar 17 muaj në burg. Pas lirimit ato u pritën nga një turmë prej më shumë se 100 anëtarësh të familjeve dhe mbështetësve të tyre para burgut Evin në Teheran dhe festuan fitoren e tyre, raporton The Guardian.
Të nesërmen, agjencia e lajmeve Mizan raportoi se sipas ligjeve të vendit për hixhabin ndaj gazetareve u ngrit përsëri aktakuzë pasi në rrjetet sociale u publikuan foto të tyre duke u përqafuar dhe festuar lirimin e tyre me kokat e zbuluara.
“Hixhabi i detyrueshëm është shtylla kryesore e këtij regjimi të aparteidit gjinor. Kjo është arsyeja pse autoritetet në Iran duan të ndëshkojnë këto dy gra, të cilat i rezistuan mbulesës së detyruar dhe praktikuan mosbindjen e tyre qytetare. Në sytë e zyrtarëve të Republikës Islamike ato janë kriminele, por në sytë e miliona grave iraniane, ato janë bërë frymëzim”, tha Masih Alinejad, gazetar iranian që jeton në ShBA.