Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Policia ndërpret dhunshëm protestën kundër ngacmimeve seksuale

QIKA 11.4.2024

Sot, Policia e Kosovës ndërpreu dhunshëm protestën që po mbahej para Rektoratit të UP-së, ku studente/ë e aktiviste/ë kërkonin marrjen e një vendimi për profesorin Xhevat Krasniqi, i cili është denoncuar nga 27 studente për ngacmim seksual.

Këshilli i Etikës i UP-së u mblodh sot, për të disatën herë, për të trajtuar rastin por nuk morri kurrëfar vendimi. Kjo i revoltoi aktivistet/ët dhe studentet/ët të cilët e bllokuan daljen për anëtarët e Këshillit të Etikës dhe kërkuan që të mos dalin pa e marrë një vendim.

Pasi qëndruan disa orë të bllokuar, pa marrë asnjë vendim, KE doli nga ndërtesa e Rektoratit pasi policia ndërpreu dhunshëm protestën dhe arrestoi aktivistin Rron Gjinovci.

Protestat para Rektoratit, Lëvizja Feministe Studentore për këtë rast i ka vazhduar që prej publikimit dhe rikujtojmë se nën shoqërimin policor anëtarët e KE kanë dalur nga mbledhja edhe javën e kaluar.

Deklarata e plotë e LFS:

POLICIA DHUNON STUDENTET/ËT

Sot, në orën 11:40 është mbajtur, me vonesë gati një orëshe, mbledhja e Këshillit të Etikës. Hyrja u bllokua nga studente e studentë, aktiviste e aktivistë, por ende nuk u morr vendimi meritor për përjashtimin e të raportuarit për ngacmim seksual, Xhevat Krasniqi. Anëtarët e pafytyrë të Këshillit të Etikës u detyruan të rreshtonin edhe një herë dhunën e organizuar shtetërore për të vazhduar shpërfilljen e detyrës së tyre.

Kësaj here, kundër qëndresës paqësore të protestueseve dhe protestusëve, u vunë në detyrë më se 40 trupa të forcave policore, ndër ta edhe të pajisur me granata e jelekë antiplumbë. Në mbështetje të heshtur të amnistimit të ngacmimit seksual në UP, forcat e shtypjes të organizuara shtetërore ushtruan dhunë të tmerrshme ndaj rezistencës paqësore, duke lënduar fizikisht dhjetëra protestues/e. Ndër të shtyra, shkelma, e tërheqje zvarrë nëpër shkallë, u arrestua aktivisti Rron Gjinovci.

Edhe një herë bëhemi dësitarë e dëshmitare të aftësisë së pamatur të kryesisë së fosilizuar të organeve të UP-së për të ruajtur statusin e Universitetit si skutë e sigurtë e ngacmuesëve seksualë.

Pavarësisht tentimeve të dhunshme për të na zmbrapsur, ne nuk trembemi! Rezistenca jonë nuk shuhet!