Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Agjencia kundër dhunës me bazë gjinore në prag të mbylljes nga presidenti i Argjentinës

QIKA 12.6.2024

Javier Milei, presidenti i partisë ekstremiste të djathtë të Argjentinës, është në prag të shpërbërjes së departamentit qeveritar përgjegjës për trajtimin e dhunës me bazë gjinore, duke shkaktuar një reagim të ashpër nga aktivistët e të drejtave të njeriut.

Milei është shprehur disa herë kundër feminizmit dhe ka pasur kritika të vazhdueshme mbi çështjet e të drejtave të grave. Në gjashtë muajt e tij të parë si president ai ka ndaluar përdorimin e gjuhës përfshirëse gjinore në sektorin publik dhe e ka përshkruar abortin si “vrasje e rëndë”.

Claudia Barcia, drejtoresha e nënsekretariatit për mbrojtjen kundër dhunës me bazë gjinore, dha dorëheqjen e saj me një paralajmërim se agjencia së shpejti do të mbyllet. “Nënsekretariati për mbrojtjen kundër dhunës me bazë gjinore … do të pushojë së ekzistuari,” shkroi Barcia.

Vendi po vuan një nga normat më të larta të inflacionit në botë, me më shumë se gjysmën e popullsisë që jeton në varfëri. Kjo për shkak se administrata e Milei-t shkurtoi shpenzimet qeveritare dhe imponoi masa të rrepta kursimi në përpjekje për të nxjerrë Argjentinën nga kriza e saj ekonomike.

Fernanda Tarica, një mjeke dhe themeluese e OJQ-së Shalom Bait, e cila mbështet viktimat e dhunës me bazë gjinore, tha se Argjentina është “në duart e një njeriu të rrezikshëm”. “Gratë janë në rrezik,” shtoi ajo.

Argjentina përballet me nivele të larta të dhunës me bazë gjinore dhe me numrin e lartë të femicideve që sipas të dhënave të gjykatës është rritur me 11% vitin e kaluar. Observatori lokal “Now They See Us” ka regjistruar 78 raste të femicidit këtë vit, që përkon me një vrasje me bazë gjinore çdo 37 orë.

“Milei po shkatërron burimin e fundit kundër dhunës gjinore në politikën publike. Ai e ka vendosur feminizmin si armikun e tij dhe po i ndëshkon gratë përsëri,” tha Verónica Gago, një studiuese dhe anëtare e lëvizjes feministe #NiUnaMenos (Asnjë Më Pak).

Departamenti kundër dhunës me bazë gjinore ishte një zëvendësim i ministrisë së grave, gjinisë dhe diversitetit, të cilën Milei e mbylli menjëherë pas marrjes së detyrës në dhjetor.