Alb Eng
Për QIKA
Lajme

Agjenda e OKB-së mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë nuk po jep rezultate

QIKA 17.6.2022

Pavarësisht se 100 vende miratojnë plane kombëtare për të zbatuar Agjendën Globale të Grave, Paqes dhe Sigurisë, gratë kryesisht nuk përfshihen në ndërmjetësimin e konflikteve dhe përpjekjeve të tjera paqeruajtëse në mbarë botën. Agjenda, e themeluar në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të miratuar në vitin 2000, supozohet të sigurojë pjesëmarrjen e barabartë të grave në bisedimet e paqes dhe hapa të tjerë të lidhur. Por, axhenda ka mbetur shumë larg arritjes së këtij qëllimi që kur u autorizua nga vendet anëtare të OKB-së më shumë se dy dekada më parë.

Sima Bahous, drejtore ekzekutive e UN Women, theksoi mungesën e pjesëmarrjes së grave në negociatat dhe ndërmjetësimin e paqes gjatë një debati të hapur të Këshillit të Sigurimit mbi rolin e organizatave rajonale në zbatimin e të ashtuquajturës agjendë WPS, të mbajtur më 15 qershor. Bahous tha se 12 grupe rajonale kanë miratuar gjithashtu “plane veprimi” në axhendë, nga pesë në 2015. Megjithatë, kjo nuk përbën sukses.

Mbledhja e Këshillit u drejtua nga ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka. Përveç fjalimeve të mbajtura në mëngjes nga 15 anëtarët e Këshillit, Bahous dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres, folën edhe përfaqësuese gra nga Lidhja e Shteteve Arabe, Bashkimi Afrikan, Bashkimi Evropian dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, duke sjellë secila këndvështrimin e rajonit të tyre sa i përket problemit.

“Me gjithë këto përparime institucionale, pothuajse çdo herë që ka negociata politike, bisedime për paqen, ne ende duhet të pyesim, ‘Ku janë gratë?’”, tha Bahous. Si presidente e radhës e Këshillit për qershorin, Shqipëria po ngre fokusin pasi gratë ukrainase thuhet se po bien preh e trafikantëve të qenieve njerëzore në mes të pushtimit të Rusisë dhe trupat ruse po akuzohen për përdhunimin e grave ukrainase.

Shqiptarët etnikë e kuptojnë shumë mirë traumën e dhunës seksuale në luftë. Në një vit konflikti në Kosovë në fund të viteve 1990, mijëra gra u përdhunuan në betejën e Serbisë për të mbajtur territorin. Kosova tani njihet si shtet sovran nga 97 shtete anëtare të OKB-së. Rezoluta 1325 për gratë, paqen dhe sigurinë u miratua në vitin 2000, një vit pas përfundimit të luftës në Kosovë, dhe një nga qëllimet e saj thelbësore është të njohë se si dhuna prek veçanërisht gratë dhe vajzat. Me atë rezolutë, vendet anëtare të OKB-së u angazhuan për të përfshirë gratë në të gjitha proceset e ndërtimit të paqes, raporton PassBlue.

Ndërsa, Guterres vuri në dukje se 124 raste të abuzimit seksual të kryera ndaj grave dhe vajzave në Ukrainë janë dorëzuar në zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut. Ai renditi Afganistanin, Republikën Demokratike të Kongos, Sudanin, Mianmarin dhe Malin si vende të tjera ku vendimet e marra nga burrat kanë traumatizuar dhe përjashtuar gratë dhe vajzat.

Në raportin e tij të vitit 2022 mbi dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, Guterres tha se disa vende nuk po forconin kapacitetin e institucioneve kombëtare për të hetuar incidentet e dhunës seksuale në zona të pasigurta.

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.