Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Agnes Sithole, gruaja që luftoi ligjet seksiste mbi martesën në Afrikën e Jugut

QIKA 1.9.2021

Agnes Sithole është një heroinë për qindra mijëra gra të zeza në Afrikën e Jugut. Në moshën 72-vjeçare, ajo paditi burrin e saj në gjykatë për ta parandaluar shitjen e shtëpisë së tyre kundër dëshirës së saj.

Kur ajo ishte në shkollë të mesme u martua me Gideon, megjithëse e dinte që martesa e tyre do të ishte e vështirë, ajo vazhdoi që të mbyllte një sy karshi problemeve që shfaqeshin.

Agnes ishte martuar në kohën kur Afrika e Jugut drejtohej nga pakicat e të bardhëve, ndërsa çiftet e komunitetit afrikan martoheshin automatikisht nën një sistem të ashtuquajtur “jashtë bashkësisë së pronës”, në të cilin burrat kishin të drejtën e plotë të pronës.

E ballafaquar me humbjen e shtëpisë, Agnes në vitin 2019 vendosi të luftonte me burrin e saj në gjykatat e Afrikës së Jugut, një hap shumë i pazakontë për një grua të zezë të brezit të saj.

Një ndryshim që kishte ndodhur në Aktin e Pronës Martesore në 1988 lejoi çiftet zezake të ndryshojnë statusin e martesës së tyre në “në bashkësi”, kështu duke u dhënë të drejta të barabarta pronësore grave.

Sidoqoftë, nuk ishte automatike. Gratë zezake duhej të kishin pëlqimin e burrave të tyre, të paguanin për një kërkesë dhe ta paraqisnin atë brenda një periudhe dyvjeçare.

Duke kuptuar se ajo mund të përfundonte e pastrehë, në fillim të vitit 2019 ajo paraqiti një urdhër duke përmendur abuzimin financiar dhe duke argumentuar se ajo kishte kontribuar në mënyrë të barabartë në ndërtimin e familjes së tyre dhe pasurinë e përbashkët, raporton BBC.

Dy vjet më vonë, Gjykata Kushtetuese e Afrikës së Jugut konfirmoi një vendim të mëparshëm të Gjykatës së Lartë se ligjet ekzistuese kishin diskriminuar çiftet zezake, dhe gratë zezake në veçanti.

Gjykata vendosi që të gjitha martesat para vitit 1988 do të ndryshoheshin në “në bashkësinë e pronës”, duke u dhënë grave të drejta të barabarta pronësore.

Agnes dhe vajza e saj e vogël e shikuan vendimin në internet nga dhoma e saj e gjumit. Fillimisht, ajo nuk e kuptoi që kishte fituar çështjen derisa avokati i saj e thirri t’i tregonte.