Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Aktivistet afgane për të drejtat e grave u zhdukën me forcë

QIKA 31.1.2022

Përgjigja e talebanëve ndaj zhdukjes së Tamana Paryanit, Parwana Ibrahimkhel dhe aktivisteve të tjera në Afganistan, ka nxjerrë në pah qëllimin e tyre për të ndalur zërat kritik të grave përmes përdorimit të forcës në mënyrë të paligjshme. Udhëheqësit talebanë kanë mohuar arrestimin e grave.

Më 16 janar, Paryani dhe Ibrahimkhel morën pjesë në një protestë në Kabul kundër abuzimeve të fundit ndaj grave protestuese nga talebanët dhe kufizimeve të tjera ndaj të drejtave të grave. Dëshmitarët thanë se natën e 19 janarit, burra të armatosur që pretendonin se ishin inteligjencë talebane, thyen derën e shtëpisë së Paryanit dhe e morën atë, së bashku me tre nga motrat e saj. Paryani postoi një video në rrjetet sociale nga momenti para se burrat të hynin në shtëpinë e saj. Ibrahimkhel u rrëmbye në mënyrë të ngjashme nga shtëpia e saj dhe vendndodhja e saj mbetet e panjohur, raporton Human Rights Watch.

Që kur morën kontrollin e vendit më 15 gusht 2021, talebanët kanë vendosur kufizime të ashpra mbi të drejtën e grave për të punuar, kanë ndaluar arsimin e mesëm për vajzat në pjesën më të madhe të vendit dhe kanë rrahur gra protestuese. Autoritetet talebane kanë kufizuar ashpër raportimin e mediave dhe kanë arrestuar dhe rrahur gazetarët. Forcat talebane kanë zhdukur me forcë ish-zyrtarët e qeverisë.

Më 23 janar, gjatë bisedimeve në Oslo midis autoriteteve talebane dhe disa qeverive perëndimore, aktivistja afgane Hoda Khamosh i bëri thirrje publikisht ministrit të jashtëm taleban Amir Khan Muttaqi që “ta merrte telefonin e tij tani dhe të telefononte Kabulin dhe të urdhëronte lirimin e menjëhershëm të grave të rrëmbyera.”

Thuhet se Muttaqi u përgjigj se kishte njerëz të këqij në mesin e talebanëve të cilët talebanët po i dëbonin dhe tha se persona të tillë mund t’i kishin arrestuar gratë. Ai tha se situata është nën hetime. Autoritetet talebane më parë pretenduan se kishin shkarkuar disa nga këta persona për vjedhje dhe krime të tjera, por kanë heshtur dukshëm për vrasjet dhe zhdukjet e detyruara të grave.

Mohimet e talebanëve për arrestimet u minuan më 23 janar kur zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid tha se talebanët kishin të drejtë “të arrestonin dhe të ndalonin disidentët”.

“Duke dështuar t’i mbajnë forcat e tyre përgjegjëse, udhëheqësit talebanë po sanksionojnë shkelje të tilla të të drejtave të njeriut kundër grave aktiviste dhe të tjerëve. Arrestimet dhe zhdukjet arbitrare janë bërë metoda rutinë e talebanëve për t’iu përgjigjur kritikave. Talibanët duhet të sigurojnë lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të grave. Kombet e Bashkuara dhe të gjitha vendet që takohen me talebanët, përfshirë Norvegjinë, duhet të bëjnë presion për një fund të menjëhershëm të të gjitha abuzimeve”, thuhet në reagimin e Human Rights Watch.