Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Aktivistet feministe protestojnë në Azerbajxhan pas valës së vrasjeve të grave

QIKA 6.8.2021

Në korrikun e këtij viti, të paktën pesë gra u vranë në Azerbajxhan. Një grup i aktivisteve feministe organizuan një aksion rrugor ku vendosën një arkivol të zi simbolik me emrat e pesë grave të vrara para Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Viktima e fundit, Nagriz Mustafayeva, u vra më 25 korrik nga burri i saj. Aktivistët thonë se legjislacioni dhe policia e vendit janë duke dështuar në ofrimin e sigurisë për gratë në situata abuzive. Njëra nga aktivistet që ishte edhe përgjegjëse për protestën, deklaroi se arkivoli simbolik me emrat e pesë viktimave të muajit të kaluar u vendos para ndërtesës së qeverisë si përpjekje për të treguar pasojat e mosveprimit.

Personeli nga Ministria e Brendshme e hoqi shpejt arkivolin ndërsa policia i arrestoi protestueset, duke i liruar ato menjëherë pas marrjes në pyetje në stacionin e policisë lokale.

“Kur viktimat e dhunës në Azerbajxhan paraqiten në polici, ata përpiqen t’i pajtojnë ato me dhunuesin ose policia dekurajon gratë që të ankohen, dhe si rezultat, gruaja vritet,” tha Aytaj Aghazade, një nga pjesëmarrëset e demonstratës.

Një përfaqësuese nga Ministria e Punëve të Brendshme kur u pyet nëse vrasjet janë çështje politike, hodhi poshtë këtë deklaratë. “Të thuash që vrasjet janë politike është një deklaratë politike në vetvete. Nuk ka diçka të tillë në Azerbajxhan. Deklarata të tilla nuk bazohen në fakte ose ndonjë prove,” tha Hajiyev. Por aktivistët thonë se pesë viktimat e muajit të kaluar paraqesin një imazh tjetër.

Sipas Komitetit Shtetëror të Statistikave të Azerbajxhanit, kishte të paktën 1,180 raste të dhunës ndaj grave në vitin 2020-të. Por aktivistët thonë se numrat ka të ngjarë të jenë më të lartë, duke pasur parasysh stigmën rreth abuzimit në familje me bazë gjinore në Azerbajxhan, e cila u theksua në një raport të publikuar në 2020-të.