Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Aktivistja për të drejta të grave në Arabinë Saudite dënohet me 11 vjet burg

QIKA 8.5.2024

Manahel al-Otaibi, aktiviste për të drejtat e grave në Arabinë Saudite e cila promovonte fuqizimin e grave në rrjetet sociale u arrestua dhe u dënua fshehurazi me 11 vjet burg nga një gjykatë kundër terrorizmit.

Al-Otaibi u arrestua për “zgjedhjen e saj të veshjeve dhe mbështetjen për të drejtat e grave” dhe u dënua në një seancë sekrete ku u shpallë fajtore për shkeljen e një ligji saudit kundër terrorizmit që kriminalizon përdorimin e faqeve të internetit për të “transmetuar ose publikuar lajme, deklarata, thashetheme të rreme ose keqdashëse, apo të ngjashme për kryerjen e një krimi terrorist”.

Otaibi u akuzua nga autoritetet saudite për përdorimin e një hashtag-u të përkthyer në #societyisready – për të bërë thirrje për t’i dhënë fund rregullave të kujdestarisë mashkullore.

Zyrtarët sauditë konfirmuan për Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut se Manahel al-Otaibi u dënua më 9 janar për ato që qeveria saudite i quajti “akte terroriste”, raporton The Guardian.

Grupet e të drejtave thonë se al-Otaibi i është nënshtruar abuzimit të rëndë, duke filluar me zhdukjen e saj me forcë për pesë muaj nga nëntori 2023 deri në prill 2024. Pasi u kthye në kontakt me familjen e saj, ajo tha se ishte mbajtur në izolim dhe kishte përjetuar abuzim fizik.

Amnesty International dhe ALQST, u kanë bërë thirrje autoriteteve saudite që të lirojnë menjëherë dhe pa kushte al-Otaibi dhe thanë se burgimi i saj bie në kundërshtim të drejtpërdrejt me narrativën e autoriteteve për reformën dhe fuqizimin e grave.

Rasti i saj pason një sërë rastesh të ngjashme në të cilat gratë saudite u janë nënshtruar dënimeve për përdorimin e llogarive të rrjeteve sociale për t’u shprehur. Kujtojmë Salma al-Shehab, e dënuar me 27 vjet, Fatima al-Shawarbi, e dënuar me 30 vjet, Sukeynah al-Aithan, e dënuar me 40 vjet, dhe Nourah al-Qahtani, e dënuar me 45 vjet.