Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Aktivizmi feminist në Egjipt po shfaqet përmes tregimeve të përbashkëta

QIKA 23.11.2022

Pas më shumë se një dekade të mësimdhënies mbi audio prodhimin për studentët e mi të kolegjit në Kajro, më në fund kuptova se podkastet vetë, mund të shërbejnë si mjete mësimore që theksojnë mësimet në shoqërinë egjiptiane. E kuptova këtë sepse shumë nga studentet e mia zgjodhën tema feministe ose morën qëndrime feministe në podkastet narrative reale.

Përderisa, në të kaluarën kam shkruar për mënyrën se si ligjëroj mbi audion, nuk kam menduar kurrë të fokusohem në përmbajtjen e podkasteve të studentëve të mi. Ideja e podkasteve si aktivizëm dixhital më ndikoi shumë, veçanërisht nga këndvështrimi i tregimit të historive të jetës reale.

Me dy dekada të podkasteve në botë, ka një numër që është gjithnjë në rritje të artikujve kërkimor rreth podkastimit në Afrikë. Por ka nevojë për shumë më tepër analiza akademike, kjo është arsyeja pse bashkëautorja ime Yasmeen Ebada dhe unë hartuam një studim kërkimor për t’u fokusuar në podkastet me prirje feministe dhe podkasteret që janë vajza e gra egjiptiane. Aktivizmi dixhital është në fund të fundit pjesë e valës së katërt të feminizmit dhjetëvjeçar.

Ne donim të mësojmë se si studentët përvetësuan njohuritë e tyre për feminizmin, rreth zhvillimit të identiteteve të tyre feministe dhe se si podkastet u përdorën për aktivizmin dixhital. Megjithëse u fokusuam në katër podkastere gra si studime rasti, hulumtimi ynë ofron poashtu kontekst se kur gratë egjiptiane bëhen të vetëdijshme për pabarazitë kulturore dhe shoqërore, si dhe kur fillojnë të manifestojnë idealet e tyre feministe.

Feminizmi në Egjipt

Patriarkia, e cila supozon se burrat janë superiorë ndaj grave, është ngulitur në shoqërinë egjiptiane në të gjitha nivelet – kulturore, sociale, ekonomike dhe politike. Gratë e reja që flasin hapur për çdo gjë konsiderohen të guximshme. Pasojat mund të jenë të ndryshme, pavarësisht statusit relativisht të rehatshëm si studentë të universitetit.

Feminizmi në Egjipt nuk është një fenomen i ri. Të rinjtë egjiptianë kanë shumë modele që përfshijnë dekada të aktivizmit feminist. Këto variojnë nga aktivistja Huda Sha’rawi – kumbara e feminizmit egjiptian – te autorja dhe mjekja Nawal El Saadawi dhe shkrimtarja feministe bashkëkohore Mona Eltahawy.

Shtoni kësaj liste Nadeen Ashraf. Si studente në kolegj, ajo rindezi flakën e aktivizmit feminist në verën e vitit 2020 në Egjipt. Ajo përdori Instagramin për të dokumentuar rastet e ngacmimeve seksuale dhe sulmeve të një ngacmuesi. Rasti i saj tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare dhe i nxiti autoritetet të reagojnë me shpejtësi.

Studimi ynë

Hulumtimi ynë u ndërtua në një mostër prej katër podkastesh publike të prodhuara nga studentet në Universitetin Amerikan në Kajro, ku kam dhënë mësim që nga viti 2009. Ne morëm një qasje të analizës kritike cilësore për të shqyrtuar narracionin, tingujt nga intervistat, muzikën dhe elementet e tjera të prodhimit të podkastit.

Modeli i zhvillimit të identitetit feminist ishte një përshtatje e mirë për projektin kërkimor pasi qe na lejoi të kuptojmë më mirë njohuritë e podkasterëve tonë për feminizmin dhe synimin e tyre për të zgjedhur një temë socio-kulturore për podkastin e tyre. Modeli mbulon një proces me pesë hapa nga pranimi pasiv deri në angazhimin aktiv.

Zbulimet tona

Pedagogjia feministe (metoda dhe praktika e mësimdhënies) përfshin inkurajimin përmes diskutimeve të udhëhequra nga profesorët dhe kolegët. Kjo u mundësoi podkasterëve që në mënyrë provokative të shpërbëjë normat tradicionale gjinore dhe socio-kulturore.

Ndër temat e episodeve narrative të podkasteve ishin historitë e përfshirjes së familjeve në çiftimin për t’i martuar gratë e reja në një familje të pasur. Një podkast tjetër trajtoi pjesëmarrjen e grave në revolucionin Egjiptian të vitit 2011.

Podkasteret tona përfshinë perspektiva të ndryshme feministe, duke shfaqur origjinë feministe shumëdimensionale. Këtu përfshihen edhe pikëpamjet perëndimore, afriko-amerikane, dhe postkoloniale feministe. Përvojat e tyre të jetuara janë një kontribut i mirëpritur në sferën dixhitale Egjiptiane pasi ato ofrojnë një narrativë kundërshtuese ndaj normave tradicionale patriarkale.

Podkasterët gjithashtu shfaqën plotësisht përdorimin e aseteve të podkasteve – të tilla si tingulli e muzika, si dhe toni, lakimi dhe nuanca të tjera në shpërndarje dhe rrëfim – për të pasuruar tregimet e tyre. Në analizën tonë u përfshinë elemente të forcës së tregimit, duke u fokusuar në rrëfimin dhe angazhimin e audiencës. Këto janë gjithashtu disa nga kriteret udhëzuese për e RadioDoc Review, i cili ofron kritika për përmbajtjen audio.

Pse ka rëndësi kjo?

Ne zbuluam se podkasteret Egjiptiane përdorën ideale të shumta feministe në podkastet e tyre. Ky hulumtim tregon fuqinë e podkasteve si një mjet për aktivizmin dixhital. Të folurit për përvojat dhe opinionet e tyre u mundëson grave të reja egjiptiane të flasin hapur në shoqëri. Podkastet janë mjet për këtë.

Kufizimet e këtij hulumtimi janë se podkasteret tona ishin kryesisht nga e njëjta klasë shoqërore dhe kishin një nivel të lartë arsimimi. Një grup më i larmishëm podkasteresh do të ishte ideal për kërkime të ardhshme mbi këtë temë.

Fusha në zhvillim e studimeve të podkasteve do të vazhdojë të lindë një mori njohurish rreth shoqërisë afrikane. Si edukatorë dhe studiues, ne inkurajojmë fuqimisht studiuesit e rinj afrikanë që mos të angazhohen vetëm me rezultatet e kërkimit mbi podkastet në Afrikë. Ata gjithashtu duhet aktivisht të kërkojnë  bashkëpunëtorë dhe mundësi për të përforcuar globalisht punën e komunitetit afrikan të podkasteve.

Kim Fox

Ky artikull është përkthyer nga Kanita Kuçi në kuadër të “Bashkohu me QIKA”.

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://theconversation.com/podcasting-in-egypt-how-feminist-activism-has-emerged-through-shared-stories-191811?fbclid=IwAR2ZN-X-zKGbH-dKQsHaaglR70D3vp0QXtppRZ00nVmVD_OZg8PHARPbXXo