Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Algoritmet e rrjeteve sociale paraqesin rrezik për vajzat e reja

QIKA 2.5.2024

Teknologjia dixhitale dhe algoritmet e rrjeteve sociale paraqesin rreziqe të larta lidhur me shkeljen e privatësisë, ngacmimin kibernetik dhe shpërqendrimin nga të mësuarit tek vajzat e reja, sipas raportit të UNESCO-s, Gender Report 2024.

Bazuar në gjetjet e raportit, rrjetet sociale i ekspozojnë vajzat ndaj materialeve si foto e video të papërshtatshme, duke përfshirë përmbajtjen seksuale dhe promovimin e standardeve të bukurisë, që janë të pashëndetshme e të pavërteta dhe që ndikojnë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien mendore të tyre.

Sipas përllogaritjeve të Instagram-it raportohet se së paku 32% e vajzave adoleshente ndihen më keq me trupin e tyre pasi kanë konsumuar përmbajtjen e kësaj platforme.

Në një intervistë për UN News , analistja e lartë e politikave nga ekipi hartues i raportit, Anna D’Addio, tha se ekspozimi ndaj formave të ndryshme të ngacmimit kibernetik ndikon në mirëqenien e vajzave. “Ka prova në rritje që tregojnë se rritja e ekspozimit ndaj rrjeteve sociale lidhet me problemet e shëndetit mendor, çrregullimet e të ngrënit dhe shumë çështje të tjera që kushtëzojnë dhe shpërqendrojnë veçanërisht vajzat”, shtoi ajo.

Raportin e plotë e gjeni në: https://www.unesco.org/gem-report/en/2024genderreport