Këshilli i qytetit të Ann Arbor, qytet në Michigan, votoi unanimisht për të miratuar urdhëresën që kërkon që të gjitha tualetet publike në komunitetin prej 120,000 banorësh, përfshirë edhe tualetet që ndodhen brenda bizneseve, të ofrojnë peceta dhe tampona falas, si dhe letër higjienike e sapun. Shkeljet e urdhëresës, e cila do të hyjë në fuqi më 1 janar 2022, do të rezultojnë në një gjobë prej 100 dollarësh, sipas legjislacionit në fuqi.
Kryebashkiaku i Ann Arbor, Christopher Taylor, i cili propozoi urdhëresën, tha se kjo është një domosdoshmëri dhe nevojë e kamotshme. Ai gjithashtu në mbledhjen e këshillit të qytetit tha se “Qasja në produkte menstruale është një çështje e dinjitetit personal, një domosdoshmëri njerëzore dhe një e drejtë e kujdesit shëndetësor”.
Ideja për këtë urdhëresë buron nga një bisedë që Taylor kishte me një nxënëse të shkollës së mesme, gjatë së cilës ajo shprehu shqetësimin që njerëzit e pastrehë nuk kanë qasje në produktet menstruale.
Michela Bedard, drejtore ekzekutive e PERIOD, një organizatë jofitimprurëse që synon t’i japë fund stigmës dhe kostove të larta të produkteve menstruale, tha për CNN se “Është plotësisht e mundur që ekziston një qytet shumë i vogël që e ka marrë këtë vendim, ata e bënë atë pa asnjë bujë, takime ose ndihmë për avokim. Sigurisht, kjo është bashkia e parë e madhe që ka nisur një lëvizje si kjo.”