Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Qytetarët në Pejë kërkojnë drejtësi për Arlinda Zekajn

QIKA 27.10.2026

Mbrëmë, në Pejë, qytetarë të shumtë u mblodhën për të përkujtuar Arlinda Zekajn, të cilën dyshohet se e vrau kunati i saj.

Gjatë tubimit, qytetarët ndezën qirinj në kujtim të saj, ndërsa në mesin e tyre vendosën edhe një nga letrat që Arlinda Zekaj ua kishte drejtuar institucioneve, duke kërkuar që ato të kryenin detyrën e tyre dhe t’i ofronin mbrojtje. Nën sloganin “Deri kur?”, të pranishmit kërkuan drejtësi për Arlindën dhe përgjegjësi institucionale.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, në hapësira të ndryshme të Pejës, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, përmes grafiteve me mesazhe si “Pa drejtësi nuk ka qetësi” dhe “Vrasjet e grave janë të paralajmëruara”, u ka bërë thirrje qytetarëve dhe aktivistëve t’i bashkohen protestës të së mërkurës, e cila nis në orën 16:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

“Nga Peja thërrasim për organizim e revoltë kombëtare nga kjo e mërkurë e tutje për jetë e siguri për gratë e gjalla, e drejtësi për Arlinda Zekajn e çdo grua të vrarë. Ky shtet nuk mund të ketë qetësi pa sigurinë e grave!”, thuhet në reagimin e Kolektivit.