Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Arrestohet një kadet policor, dyshohet për dhunimin e një të miture

QIKA 2.7.2024

Një kadet policor po dyshohet se është përfshirë në një rast dhunimi të një të miture në Lipjan. Kallxo.com raporton se kadeti policor është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Sipas Kallxo.com rasti ndërlidhet me një raportim fillimisht për zhdukjen e një të miture në Lipjan. Rastin e kishte raportuar babai i saj në polici ndërsa e mitura ishte shpallur e zhdukur më datë 30.06.2024. 

“Një mashkull kosovar ka raportuar se vajza e tij e mitur është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vendndodhjen e saj. Rasti vazhdon të hetohet”- thuhet në raportin policor të datës 02.07.2024. 

Siç mëson Kallxo.com viktima mbrëmë më datë 01.07.2024 ka shkuar në stacion policor dhe e njëjta ka raportuar rastin e dhunimit gjithashtu ndaj të njëjtës janë bërë edhe ekzaminimet mjekësore, kurse i dyshuari është dërguar në ndalim.

Lajmin për rtv21.tv e ka konfirmuar Arbër Beka nga Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK). “Hetuesit e IPK-së janë njoftuar nga Policia lidhur me këtë rast. Me të pranuar njoftimin kanë shkuar në Stacionin Policor Lipjan DRP-Prishtinë, dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore për të cilat është njoftuar Prokurori i Shtetit (prokurori kujdestar). Pas prezantimit të të gjeturave të hetimit deri në atë fazë të hetimit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar të dyshuarin (kadetin policor), për të cilin Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për caktimin e masës së ndalimit për 48 orë me dyshimin e kryerjes se veprës penale “Dhunimi” nga neni 277 të KPRK-së. Si pjesë e procedurës është njoftuar AKSP dhe PK”, ka thënë Beka.