Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Avokati i Popullit reagon pas vandalizimit të zebrave që u ngjyrosën me ngjyrat e ylberit

QIKA 11.6.2024

Institucioni i Avokatit të Popullit përmes një komunikate ka shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin lidhur me vandalizimin e simboleve LGBTIQ+, respektivisht zebrave në sheshin “Xhorxh Bush” të cilat për nder të Javës së Krenarisë ishin ngjyrosur me ngjyrat e ylberit dhe ka dënuar gjuhën fyese e diskriminuese të përdorur me rastin e vandalizimit të zebrave.

Avokati i Popullit u bëri thirrje organeve përgjegjëse që të marrin masat e nevojshme për parandalimin e veprimeve të tilla.

Kujtojmë se në kuadër të Javës së Krenarisë, aktivistet dhe aktivistët kishin ngjyrosur me ngjyrat e ylberit zebrat para Hotel Grand-it, dhe të njëjtat po atë natë ishin vandalizuar dhe ishin mbishkruar me gjuhë diskriminuese dhe gjuhë të urrejtjes ndaj personave LGBTIQ+.

Komunikata e plotë:

“Avokati i Popullit shpreh zhgënjim dhe shqetësim për shkak të vandalizmit të simboleve LGBTIQ+, përkatësisht vandalizmit të vendkalimit në rrugën “Xhorxh Bush”, i cili është ngjyrosur me ngjyrat e ylberit për nder të Javës së Krenarisë. Avokati i Popullit dënon fuqishëm gjuhën fyese dhe diskriminuese që është përdorur me rastin e vandalizmit të simboleve të personave LGBTIQ+.

Veprime të tilla janë të papranueshme në një shoqëri ku vlerat kushtetuese bazohen në parimet e lirisë, të paqes, të demokracisë, të barazisë, të respektimit të të drejtave të njeriut, të sundimit të ligjit dhe të mosdiskriminimit. Ruajtja dhe kultivimi i këtyre vlerave, të mishëruara në rendin kushtetues të vendit, bëhet nëpërmjet promovimit të një kulture të respektimit dhe të tolerancës ndaj diversitetit të orientimeve seksuale dhe të identiteteve gjinore, e njëra ndër to është Java e Krenarisë dhe aktivitetet përcjellëse.

Avokati i Popullit kërkon angazhimin e të gjitha organeve përgjegjëse, që t’i marrin masat e nevojshme në mënyrë që dukuri të tilla të parandalohen.”