Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

BE vendos kuotë 40% për gratë në bordet e korporatave

QIKA 8.6.2022

Pas 10 vitesh ngecjesh, ligjvënësit e BE-së nënshkruan një marrëveshje për barazinë gjinore. BE-ja ka rënë dakord që kompanitë brenda saj të përballen me kuota të detyrueshme për të siguruar që gratë të kenë të paktën 40% të pozitave në bordet e korporatave.

Përveç objektivit ligjërisht të detyrueshëm, kompanitë gjithashtu mund të gjobiten për dështimin për të rekrutuar mjaft gra në bordet e tyre joekzekutive. Nga 30 qershori 2026, kompanitë e mëdha që operojnë në BE do të duhet të sigurojnë që 40% e trupit të drejtorëve joekzekutivë t’i përkasin “gjinisë së nënpërfaqësuar” – zakonisht grave. BE-ja ka vendosur gjithashtu një objektiv prej 33% për gratë në të gjitha rolet e larta.

“Të gjitha të dhënat tregojnë se barazia gjinore në krye të kompanive nuk arrihet rastësisht”, tha Lara Wolters, eurodeputetja holandeze socialiste, e cila negocioi ligjin me qeveritë e BE-së. “Ne e dimë gjithashtu se diversiteti në sallat e bordeve kontribuon në vendimmarrje dhe rezultate më të mira. Kjo kuotë mund të jetë një shtytje në drejtimin e duhur për më shumë barazi dhe diversitet në kompani”, shtoi ajo.

Komisioni Evropian bëri propozimin e tij të parë për një kuotë 40% për gratë në borde në 2012, por plani u bllokua nga shtetet e mëdha anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe. Komisioni e ringjalli projektligjin në vitin 2020, pasi vendet kyçe ndryshuan pozicionin e tyre. “Pas 10 vitesh, që kur Komisioni Evropian propozoi këtë direktivë, tani është koha të thyejmë ‘tavanin e qelqit’. Ka shumë gra të kualifikuara për pozita të larta: ato duhet të jenë në gjendje t’i marrin ato”, tha Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian.