Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

“Black History Month”

QIKA 10.2.2022

“Black History Month” na rikujton rolin e aktivisteve gra të zeza në lëvizjen për të drejtat civile dhe për të drejtat e grave. Ato punuan dhe u angazhuan pa u lodhur për ta bërë botën një vend më të barabartë.

Sot kujtojmë disa nga këto gra të cilat vazhdojnë të jenë udhërrëfyese të lëvizjes feministe në mbarë botën.

Angela Davis është akademike dhe aktiviste e njohur e të drejtave civile, të drejtave të grave dhe të burgosurve. Aktivizmi i saj kundër shoqërive hegjemoniste ka pasur një influencë të jashtëzakonshme gjithandej botës.

bell hooks – shkrimi i saj i mprehtë dhe i gjerë mbi gjininë dhe racën ndihmoi ta shtynte feminizmin përtej botëkuptimit të tij të bardhë dhe klasës së mesme kështu duke përfshirë zërat e grave të zeza dhe të klasës punëtore.

Rosa Parks e njohur si “Zonja e parë e të drejtave civile”, ishte një aktiviste e famshme për rolin e saj në Bojkotin e Autobusëve në Montgomery. Çështjet që karakterizojnë aktivizmin e saj për gjashtë dekada janë padrejtësia e sistemit të drejtësisë penale, brutaliteti i policisë, akuzat e padrejta ndaj burrave të zinj, shpërfillja e grave të zeza që ishin sulmuar seksualisht etj.

Audre Lorde ishte aktiviste për të drejtat civile dhe të drejtat e grave, shkrimtare dhe poete. Poezitë e saj kanë të bëjnë kryesisht me feminizmin, identitetin e saj si grua lezbike e zezë dhe ndërthurjen.

Kimberlé Williams Crenshaw është një studiuese dhe shkrimtare pioniere mbi të drejtat civile, teorinë kritike mbi racën, teorinë ligjore feministe të racës. Crenshaw e parashtroi për herë të parë publikisht teorinë e saj të ndërthurjes në vitin 1989 përmes një punimi të publikuar në Forumin Ligjor të Universitetit të Çikagos.

Roxane Gay është shkrimtare, profesore, redaktore dhe komentuese e çështjeve sociale. Gay është autore e koleksionit të esesë më të shitur “Bad Feminist” në The New York Times si dhe e shumë tregimeve tjera.

Chimamanda Ngozi Adichie është shkrimtare e njohur për shkrimet e saj për politikë, kulturë, racë dhe gjini. Romanet, tregimet e shkurtra dhe dramat e saj kanë marrë vlerësime të larta kritike.