Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Burgu i grave në Kaliforni po nxitë kulturë të abuzimit

QIKA 8.2.2022

Brenda një prej burgjeve të pakta federale të grave në Shtetet e Bashkuara, të burgosurat kanë deklaruar se kanë qenë cak i abuzimit seksual të shfrenuar nga oficerët korrektues dhe madje edhe nga gardiani. Ato thonë se shpesh kur janë përpjekur të flasin për këtë janë kërcënuar ose dënuar.

Një hetim i Associated Press ka shpërfaqur një kulturë toksike që ka lejuar sjellje të pahijshme seksuale për vite me radhë nga punonjësit e burgjeve. Kjo kulturë e ka mbajtur abuzimin larg syrit të publikut.

AP mori dokumente të brendshme të Byrosë së Burgjeve, deklarata dhe regjistrime nga të burgosurit, intervistoi punonjësit aktualë e ish-punonjës të burgut si dhe shqyrtoi mijëra faqe të dosjeve gjyqësore nga çështjet penale dhe civile që përfshinin personelin e burgut të Dublinit.

Së bashku, ata tregojnë se si akuzat e të burgosurve kundër anëtarëve të stafit kryesisht burra, u injoruan ose u lanë mënjanë, se si të burgosurat mund të dërgoheshin në izolim kur ato raportonin abuzimin dhe se si zyrtarët përgjegjës për parandalimin dhe hetimin e sjelljes së keqe seksuale u akuzuan vetë për abuzim me të burgosurat.

“Jam e pushtuar nga frika, ankthi dhe zemërimi” tha një e burgosur. Një tjetër tha se ajo mendoi të kryente vetëvrasje kur thirrjet e saj për ndihmë shkuan pa u vënë re. Ajo tani vuan nga ankthi i rëndë dhe çrregullimi i stresit post-traumatik.

Akuzat në Dublin, të cilat deri më tani kanë rezultuar në katër arrestime, janë endemike të një problemi më të madh brenda Byrosë Federale të Burgjeve. Në vitin 2020 nga 122 burgje, pati 422 ankesa për abuzime seksual nga personeli. Agjencia tha se vërtetoi vetëm katër prej tyre dhe se 290 janë ende duke u hetuar.

Thahesha Jusino, duke pranuar detyrën si gardiane e Dublinit në fund të këtij muaji, premtoi se do punojë pa u lodhur për të riafirmuar tolerancën zero të Byrosë së Burgjeve për abuzim dhe ngacmimin seksual. Ajo tha se agjencia po bashkëpunon plotësisht me inspektorin e përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë për hetime aktive.