Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Danimarka do të mundësoj abortin deri në javën e 18-të të shtatzënisë

QIKA 7.5.2024

Qeveria e Danimarkës pas 50 viteve, për herë të parë po lehtëson qasjen në abort duke e bërë të ligjshme ndërprerjen e shtatzënisë deri në javën e 18-të. Zyrtarët thanë se ligji do të ndryshohet gjithashtu për të lejuar vajzat midis 15 dhe 17 vjeç të bëjnë abort pa pëlqimin e prindërve.

Ministria e Shëndetësisë tha se mosha ligjore e pëlqimit në Danimarkë është 15 vjeç që nënkupton se vajzat 15 vjeçare mund të vendosin vet për trupin e tyre.

Marie Bjerre, ministre e barazisë gjinore, tha se shpresonte që “të rejat të gjejnë mbështetje nga prindërit e tyre. Por nëse ka mosmarrëveshje, në fund të fundit duhet të jetë vendimi i vetë gruas së re nëse dëshiron të bëhet nënë. Është trupi dhe jeta e saj.”

Bjerre tha se Danimarka po forcon të drejtat e grave. “Ka të bëjë me lirinë individuale të gruas, me të drejtën për të vendosur mbi trupin dhe jetën e saj. Është një ditë historike për barazinë e grave”, tha ajo.

Aborti falas u fut si ligj në Danimarkë në vitin 1973. Asokohe, u caktua që deri në javën 12 të lejohej aborti, sepse “në atë kohë të gjitha abortet kryheshin në mënyrë kirurgjikale dhe një abort pas javës së 12-të kishte një rrezik për komplikime”, tha ministria e shëndetësisë.

Qeveria e qendrës trepartiake ra dakord për lëvizjen me dy grupe të majta, Partinë Popullore Socialiste dhe Aleancën Kuqe-Jeshile, dhe dy parti të qendrës, Social Liberalët dhe Alternativën. Marrëveshja do të vuloset me votim në parlament. Nuk u njoftua asnjë datë për këtë, por është e sigurt që do të kalojë sepse qeveria ka shumicën. Ndryshimi pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor 2025.