Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Deputetët në Gambia mbështesin ndalimin e gjymtimit gjenital femëror

QIKA 18.7.2024

Të hënën, deputetët në Gambia votuan ligjin që ndalon gjymtimin e organeve gjenitale femërore (Female Genital Mutilation – FGM). 34 nga 53 ligjvënës votuan për ndalimin e gjymtimi, propozim ky që u prezantua në vitin 2015, kurse pjesa tjetër votuan për ta shfuqizuar atë, raporton the Guardian.

Jaha Dukureh, një e mbijetuar e FGM-së dhe themeluese e Safe Hands for Girls, tha: “Sot qëndruam në anën e duhur të historisë. Kemi treguar se edhe nëse e djegin këtë vend, ne do ta rindërtojmë për të mbrojtur gratë dhe vajzat tona. Sot, fituam për Gambinë”.

Sipas OKB-së, Gambia ka shkallën e nëntë më të lartë të FGM-së në botë. Pothuajse tre të katërtat e grave në vend midis moshave 15 dhe 49 janë gjymtuar dhe gati dy të tretat e tyre para moshës pesë vjeçe.

Vitin e kaluar, tre gra u gjetën fajtore për gjymtimin e tetë vajzave të mitura. Çdokush që dënohet për kryerjen e FGM-së përballet me tre vjet burg, një gjobë prej 50,000 dalasi (680€) ose të dyja bashkë.

Projektligji u paraqit në mars nga Almameh Gibba dhe fillimisht u miratua nga shumica e deputetëve, gjë që i detyroi aktivistët e të drejtave të njeriut të intensifikojnë avokimin kundër këtij veprimi.

Votimi u zhvillua pas leximit të dytë të projektligjit dhe një lexim i tretë dhe i fundit ishte planifikuar për javën e ardhshme. “Ne nuk mund të angazhohemi në një përpjekje të kotë për të lejuar projektligjin të vazhdojë për një lexim të tretë. Projektligji është refuzuar dhe procesi ligjvënës është shfuqizuar”, tha kryetari i parlamentit, Fabakary Tombong Jatta.

Binta Ceesay, nga ActionAid Gambia, tha: “Qysh kur FGM u ndalua shumë vite më parë, kemi bërë hapa inkurajues në përfundimin e praktikës, por nuk ka mjaftuar. Ne inkurajojmë politikanët të rrisin përpjekjet e tyre për të mbaruar këtë formë të dhunës ndaj grave dhe vajzave njëherë e përgjithmonë”.

“Ne nuk e dimë nëse do të rikthehet përsëri, por shumica e gambianëve ende besojnë në FGM dhe shumë prej tyre besojnë se është një kërkesë fetare”, shtoi Jaha Dukureh. “Nëse rikthehet, ne do të jemi këtu për të luftuar”.