Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Dhjetëra mijëra gra protestojnë në Mbretërinë e Bashkuar në solidaritet me gratë e shtypura në botë

QIKA 31.1.2025

Rreth 21 mijë gra morën pjesë në 21 marshe anembanë Mbretërisë së Bashkuar në solidaritet me gratë që shtypen e abuzohen në mbarë botën duke shënuar kështu një moment përbashkimi në luftën për barazi.

Në Londër rreth 5 mijë demonstrues, mes tyre shumë gra të mbijetuara të dhunës seksuale, kanë marshuar me thirrjet “Trupi im, zgjedhja ime”, “Çfarë duam ne? Siguri. Kur e duam? Menjëherë.”

Organizatorët thanë se demonstratat po ilustrojnë “fuqinë e veprimit kolektiv dhe solidaritetit”, shkruan The Independent.

Demi Reilly, tha se po merrte pjesë për të ngritur zërin për gratë e shtypura kudo që të jenë, teksa shtoi “Asnjë grua nuk është e lirë derisa të gjitha gratë të jenë të lira.”

Folësit në kryeqytet i vunë theks të veçantë ndërsektorialitetit të shtypjes duke theksuar se luftimi i formave të tjera të diskriminimit, duke përfshirë transfobinë, homofobinë, racizmin, moshizmin dhe ndarjen klasore janë pjesë e luftës feministe.

Gjatë marshit janë përmendur gra nga vende të ndryshme si Afganistani, Irani, SHBA-të, Zimbabvet etj. Po ashtu, shumë marshuese kanë mbajtur citime nga fjalimi i Gisele Pelicot, 72 vjeçarja nga Franca, e cila u drogua nga ish-bashkëshorti i saj, Dominique Pelicot, dhe më pas u përdhunua nga ai dhe dhjetëra burra të tjerë ndërmjet viteve 2011 dhe 2020, derisa kanë thënë se tmerri që përjetuan kur mësuan për këtë rast i ka bërë që të dalin të marshojnë.

Organizatorët Ashley Donaldson, Carolyn Storer dhe Hollie Jordan thanë: “Ky është vetëm fillimi për Marshimin e Grave në Mbretërinë e Bashkuar. Ne mbetemi të palëkundur në angazhimin tonë për të bërë fushatë dhe për të marshuar derisa të gjitha gratë në mbarë botën të jenë të lira, të kenë qasje të barabartë në kujdes shëndetësor dhe të mos jetojnë më nën frikën e dhunës dhe shtypjes”.