Sipas një raporti të ri, viteve të fundit, dhuna ndaj grave dhe vajzave është rritur me pothuajse 40% në Angli dhe Uells. Policia ka paralajmëruar se dy milionë gra vlerësohen të jenë viktima të dhunës dhe po e quajnë këtë një epidemi.
Përndjekja, ngacmimet, sulmet seksuale dhe dhuna në familje prekin 1 në 12 gra në Angli dhe Uells, me numrin e veprave penale të regjistruara që është rritur me 37% në pesë vitet e fundit, raporton the Guardian.
Raporti mbi dhunën ndaj grave dhe vajzave (VAWG) i realizuar nga Këshilli Kombëtar i Shefave të Policisë (NPCC) dhe Kolegji i Policisë, zbuloi se numri i krimeve të regjistruara është rritur nga 789,703 në vitet 2018-2019 në 1,080,157 në vitet 2022-2023.
Raporti shpalosi se pothuajse 3,000 krime të dhunës ndaj grave regjistrohen nga policia çdo ditë dhe 1 në 20 të rritur në Angli dhe Uells janë kryerës të dhunës ndaj grave dhe vajzave çdo vit (2.3 milionë kryerës).
Keir Starmer, kryeministri i ri i Britanisë së Madhe, ka premtuar të përgjysmojë dhunën ndaj grave dhe vajzave brenda një dekade, duke vendosur task-forcë në çdo forcë policore dhe duke përfshirë punonjës të specializuar të abuzimit në familje që u përgjigjen thirrjeve 999, raporton the Independent.
“Shkalla e dhunës ndaj grave dhe vajzave në vendin tonë është e papranueshme dhe kjo qeveri do ta trajtojë atë si emergjencën kombëtare që është”, tha ministrja e mbrojtjes, Jess Phillips.
Tutje, në raportin e NPCC thuhet se abuzimi dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve është rritur me më shumë se 400% midis viteve 2013 dhe 2022. Krimet e kryera nga fëmijët u rritën në 55.6%, dhe mosha mesatare e viktimave është 13 vjeç, ndërsa e të dyshuarve është 15 vjeç deri në 19 vjeç.
Maggie Blyth, udhëheqësja kombëtare e policisë për dhunën ndaj grave dhe vajzave (VAWG), tha se “dhuna ndaj grave dhe vajzave është një emergjencë kombëtare”.
Louisa Rolfe, udhëheqësja kombëtare për abuzimin në familje, tha se numri i vërtetë i viktimave duhet të jetë edhe më i lartë pasi shumë vepra nuk raportohen. “Mendoj se është më shumë, më afër 4 milionëve”.