Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Disa gra do të padisin Katarin për ekzaminimet invazive të cilave iu nënshtruan në aeroport

QIKA 17.11.2021

Shtatë gra australiane po planifikojnë të padisin qeverinë e Katarit që i detyroi ato të kryejnë ekzaminime invazive gjinekologjike në aeroportin ndërkombëtar të Dohas vitin e kaluar. “Klientet e mia po kërkojnë kompensim për faktin se ato u ndikuan nga ky veprim në atë kohë dhe ende vazhdojnë të vuajnë”, tha avokati i këtyre grave, Damian Sturzaker.

Gratë të cilat ishin në mesin e një grupi prej 13 australianësh, u urdhëruan të zbrisnin nga një fluturim të Qatar Airways për në Sydney dhe të kontrolloheshin si pasojë e një foshnjeje të porsalindur që u gjet në një qese plastike në një kosh të tualetit në një nga terminalet e aeroportit në fillim të tetorit 2020.

“Nëntë ose 10 fluturime të tjera nga Doha u vonuan në mënyrë të ngjashme përderisa pasagjeret gra u kontrolluan”, tha avokati. Gratë thanë se iu nënshtruan kontrolleve të zhveshura në një ambulancë të parkuar në asfalt. “Ato duan një kërkim falje nga qeveria e Katarit për trajtimin e tyre. Poashtu ato kanë kërkuar që të vendosen procedura në mënyrë që kjo të mos ndodhë më”, shtoi ai.

“Isha e sigurt se ose do të vritesha nga një prej shumë njerëzve që kishin armë, ose se burri im në aeroplan do të vritej”, tha një nga klientet e avokatit, e cila nuk pranoi t’i publikohej emri.

Një zëdhënës i qeverisë së Katarit nuk pranoi të komentojë, por iu referua deklaratave të mëparshme. “Shpreh keqardhjen time më të thellë me gratë e prekura nga kontrolli në aeroport. Incidenti konsiderohet si shkelje e ligjeve dhe vlerave të Katarit”, tha zëvendëskryeministri i vendit, në kohën e incidentit.

“Gratë e prekura nga ky rast pritet të nisnin veprime ligjore në Gjykatën Supreme të shtetit të Wales-it brenda disa javësh. Ato nuk e kanë specifikuar masën e dëmshpërblimit që kërkojnë”, tha Sturzaker.

Sipas avokatit, Policia Federale Australiane i informoi ankuesit javën e kaluar se vetëm një polic i aeroportit ishte gjobitur dhe dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht për zbatimin e ekzaminimeve. Linja ajrore ka mohuar përgjegjësinë ndërsa qeveria e Katarit tha se po shqyrtonte pretendimin e grave.

“Ne nuk kemi shumë shpresë në lidhje me ndonjë gjë tjetër përveç një refuzimi të kërkesës”, tha Sturzaker. Kjo do të thotë se kërkesa do të shkojë në gjyq.