Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë

QIKA 11.2.2022

Këtë vit, tema për Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë është “Barazia, Diversiteti dhe Përfshirja: Uji na bashkon”.

Kjo ditë festohet nga Kombet e Bashkuara (OKB) më 11 shkurt çdo vit dhe synon të promovojë pjesëmarrjen e grave në disiplinat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM). Njëkohësisht të rrisë ndërgjegjësimin për kontributin e grave dhe vajzave në fushën e shkencës dhe teknologjisë.

Asambleja e shtatë ndërkombëtare e Ditës së Grave dhe Vajzave në Shkencë, e cila mbahet më 11 shkurt të këtij viti në Nju Jork, do të fokusohet tek gratë dhe vajzat si agjente të ndryshimit, veçanërisht drejt përmbushjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) të OKB-së; ujë të pastër dhe kanalizime.

Në mesazhin e këtij viti me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, deklaroi se barrierat strukturore dhe shoqërore i pengojnë gratë dhe vajzat të përparojnë në disiplinat STEM. Andaj, ai u bëri thirrje vendeve anëtare që të zhvillojnë një mjedis ku gratë dhe vajzat mund të arrijnë potencialin e tyre të plotë dhe të bëhen shkencëtare dhe novatore kryesore.