Dje, në Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjeve, u dorëzuan 13 mijë e 361 nënshkrime në Kuvendin e Kosovës. Linja e Jetës, bashkë me 15 organizata tjera partnere, që nga prilli 2024 kanë mbledhur vazhdimisht nënshkrime për projektligjin për parandalimin e vetëvrasjes.
Përmes peticionit kërkohet një ligj që rregullon shërbimet klinike për parandalim të vetëvrasjes. Integrimin e parandalimit të vetëvrasjes në objektiva institucionale. Mekanizma për ngritje të profesionalizmit dhe kujdesit të mediave ndaj rasteve të raportimit të vetëvrasjes. Shërbime dhe mbështetje sociale joklinike.
Peticioni u dorëzua në kuvend nga Linja e Jetës, organizata nismëtare e këtij peticioni. Sipas Bind Skeja, drejtor i Linjës së Jetës, joserioziteti i shfaqur nga ana e kuvendit gjatë dorëzimit të peticionit, lë për të dëshiruar mbi procesin e miratimit.
“Kemi përfunduar peticionin për projektligjin për parandalim të vetëvrasjes me 13 mijë e 361 nënshkrime nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Kjo shënon një arritje të jashtëzakonshme në trajtimin e vetëvrasjes në Kosovë, duke filluar për herë të parë procesin e hartimit të politikave, të cilat preokupimin kryesor e kanë reduktimin e vetëvrasjeve nëpërmjet trajtimit të dinjitetshëm të bashkëqytetarëve tanë… Fatkeqësisht nuk jemi pritë nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, apo nga dikush i kabinetit të tij siç parashihet në rregullore. Kjo për neve me fillim na tregon një qasje joserioze, por shpresojmë se nuk është përfaqësuese për procesin e plotë”, ka thënë Skeja, raporton Dukagjini.
Ndër të tjerash, peticioni është mbështetur edhe nga Presidentja Vjosa Osmani, e cila përmes një posti në rrjetin social Facebook, ka ftuar të gjithë deputetët e Republikës që nismën ta trajtojnë me prioritet.
“Dorëzimi i sotëm nga shoqëria civile i peticionit për Projektligjin për Parandalim të Vetëvrasjes, e me mbështetje të mbi 13000 qytetarëve, është hap i duhur në këtë drejtim.
I ftoj të gjithë deputetët e Republikës që këtë nismë ta trajtojnë me prioritet që në fillim të sesionit vjeshtor. Pas miratimit të këtij ligji, Republika e Kosovës do ta ketë një kornizë ligjore e cila trajton këtë plagë të shoqërisë dhe shtetit tonë dhe do t’u ofrojë përkrahjen e nevojshme të gjithë atyre që janë duke u përballur në këtë betejë.”
Linja Jetës është qendër telefonike për parandalim të vetëvrasjes. Nëse ju apo dikush që njihni po përballeni me mendime të vetëlendimit apo vetëvrasjes, kontaktoni Linjën e Jetës pa pagesë në 0800 12345, çdo ditë nga ora 14:00 deri në orën 02:00 pas mesnate.