Rasti i “11 vjeçares” që ishte dhunuar nga disa burra në vitin 2022, është raportuar se ka rënë viktimë e trafikimit përsëri nga dhjetëra persona.
Sipas Policisë së Kosovës, me 5 shkurt 2025, u raportua se Sektori Qendror i Hetimeve pas një pune operative hetimore ka identifikuar viktimën femër kosovare (e mitur), e cila ka qenë e raportuar si e zhdukur. Sipas policisë, tre të dyshuar janë dërguar në mbajtje për trafikim me njerëz, armëmbajtje pa leje dhe dhunim.
“Me dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale të lartcekur është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar. Gjatë kontrollit të veturës së të dyshuarit është gjetur një armë, 5 fishekë, dhe 1 gëzhojë fisheku. Lidhur me rastin në Vushtrri janë arrestuar edhe dy të dyshuarit tjerë nën dyshimin se të njëjtit në bashkëveprim kanë kryer veprat penale të lartcekura. Me vendim të prokurorit, tre dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, shkruhet ne raportin ditor të Policisë së Kosovës.
Për këtë rast, ka reaguar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës, ku shkruan se ri-viktimizimi i së njëjtës, edhe pasi që ishte nën mbrojtjen e institucioneve vendore, dëshmon mos-efikasitetin e Qendrave për Punë Sociale në kryerjen e detyrave të tyre. Viktima, pas përjetimeve të dhunës seksuale në vitin 2022 për një kohë ka qëndruar në Strehimoren e Sigurisë së Lartë për Viktimat e Trafikimit (e vetmja strehimore nën menaxhimin e shtetit), ku edhe gjatë qëndrimit aty, ajo ishte përdhunuar.
Ndër të tjera, RrGK kërkon llogaridhënie për dështimin në mbrojtje dhe rehabilitim të të miturës del me kërkesa urgjente ndaj tyre.
Kërkesat e RrGK-së janë: “Të rishikohet plani i menaxhimit të rastit, dhe personi përgjegjës ne Qendrën për Punë Sociale të jap llogaridhënie për mos efikasitet të planit; Të merret kujdestaria nga prindërit, të cilët po duket që nuk kanë aftësi ta mbrojnë fëmijën e tyre; Policia dhe Prokuroria të arrestojnë të gjithë të përfshirët në këtë rast, dhe të njëjtit të marrin dënimet meritore nga Gjykata; Në rast se rehabilitimi i të njëjtës është sfidë për shtetin tonë, në mungesë të institucioneve relevante, të njëjtën ta dërgojnë jashtë vendit për trajtim të mirëfilltë dhe e njëjta të rikthehet në shoqëri e rehabilituar; Urgjentisht të themelohet qendra për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale, ashtu siç kërkon edhe Konventa e Stambollit dhe Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale (i hartuar nga RrGK në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë)”.