Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Fillojnë veprimet fillestare disiplinore ndaj gjyqtarit të Ferizajt, Bahri Salihu, për komentin seksist në rrjete sociale

QIKA 18.4.2024

Ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Ferizajt, Bahri Salihu, ka filluar procedurë disiplinore në lidhje me komentin të cilin e kishte bërë në një nga lajmet e KALLXO.com, në të cilin tregohej se një burrë nuk kishte lënë gruan e tij të futet në shtëpi pasi kishte darkuar me kolegë të punës për iftar.

Salihu në komentin që kishte bërë në Facebook thotë që nuk miraton shëtitjet e grave në iftare, duke shtuar që gruaja nuk duhet ta ngushtojë burrin pasi që duhet t’i ketë mendët, raporton Kallxo.com.

“Edhe unë nuk e kisha miratu këtë shëtitje të gruas nëpër iftare të hamamit”- është vetëm një pjesë e komentit që Salihu kishte lënë përfundi lajmit të publikuar të faqen e KALLXO.com në Facebook.

Rasti i gjyqtarit Salihu gjendet në fazën fillestare të hetimeve, pasi që sipas Ligjit për inicimin e procedurave disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë, autoriteti kompetent, që në këtë rast është kryetari i Gjykatës së Ferizajt, nëse vlerëson së janë përmbushur elementet për inicimin e procedurës disiplinore i dërgon kërkesë me shkrim Këshillit Gjyqësor të Kosovës.