Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Fushata zgjedhore po karakterizohet me pjesëmarrje të ultë të grave dhe gjuhë të urrejtjes

QIKA 27.1.2025

Të gjitha partitë politike në Kosovë po vijojnë fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 me aktivitete të shumta anë e mbanë Kosovës. Megjithatë, të dhënat sa i përket barazisë gjinore dhe gjithëpërfshirjes edhe në javën e dytë të fushatës zyrtare lënë ende shumë për të dëshiruar.

Koalicioni ‘Demokracia në Veprim’ gjatë dy javëve të para ka monitoruar rreth 377 tubime publike (160 në javën e parë, ndërsa 217 aktivitete tjera në javën e dytë), në të gjitha komunat e vendit, duke përfshirë edhe ato me shumicë serbe.

Sipas këtyre të dhënave, trendi i përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe diskursit nxitës ka vijuar edhe gjatë javës së dytë, sidomos ndaj grave kandidate për deputete të cilat janë përballur me gjuhë të urrejtjes në hapësirat online. DnV ka monitoruar rreth 900 mijë komente, prej të cilave 7% janë identifikuar si gjuhë e urrejtjes.

Pjesëmarrja e grave mbetet tejet e ulët, ku në më shumë se gjysmën e aktiviteteve (55%) ka pasur pjesëmarrje minimale të grave – me vetëm deri në 10% të pjesëmarrësve. Sa i përket pjesëmarrjes aktive në garë zgjedhore, ende vetëm 1/3 e fjalimeve janë mbajtur nga gratë.

Prezencë njëjtë e ulët e grave është shënuar edhe në media. Nga 606 kronika zgjedhore ku janë paraqitur kandidatët për deputetë, vetëm në 86 prej tyre (14%) kanë qenë të paraqitura gratë.

Edhe kohëzgjatja televizive në kronika zgjedhore ka qenë dukshëm më e ulët për gratë në krahasim me burrat. Vetëm 28 minuta apo 10% e hapësirës televizive u është dhënë grave. Ngjashëm, edhe debatet televizive janë dominuar nga pjesëmarrësit burra, me vetëm 44 (22%) kandidate gra që kanë marrë pjesë në 174 debate të mbajtura.

Detaje të tjera nga monitorimi i gjeni këtu.