Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gambia voton për të anuluar vendimin e mëhershëm që ndalon gjymtimin gjenital femëror

QIKA 25.3.2024

Gambia ka ndërmarrë hapa drejt heqjes së kriminalizimit të gjymtimit gjenital femëror. Por aktivistët dhe organizatat e të drejtave thonë se legjislacioni i propozuar e kthen mbrapsht progresin e arritur ndër vite.

Të hënën, 42 politikanë në parlamentin e Afrikës Perëndimore votuan për të avancuar projektligjin e diskutueshëm, i cili do të shfuqizonte një ndalim historik të vitit 2015 për gjymtimin gjenital femëror (FGM), praktikë e cila dënohet deri në 3 vjet burg.

Almameh Gibba, ligjvënësi që prezantoi projektligjin, argumentoi se ndalimi shkel të drejtat e qytetarëve për të “praktikuar kulturën dhe fenë e tyre” në vendin me shumicë dërrmuese myslimane. “Ligji kërkon të mbështesë besnikërinë fetare dhe të mbrojë normat dhe vlerat kulturore,” tha ai.

Jaha Marie Dukureh, nga Safe Hands for Girls, një OJQ që kërkon t’i japë fund FGM-së, i tha Al Jazeera se praktika ishte “abuzimi i fëmijëve”. Ajo, vetë, iu nënshtrua praktikës dhe pa motrën e saj të gjakosej deri në vdekje pas procedurës.

“Njerëzit që e mirëpresin FGM në këtë vend, shumë prej tyre janë burra. Këta janë burra që nuk kanë të njëjtat përvoja të jetuara si ne. Gratë që e kanë kaluar këtë praktikë vazhdojnë t’u tregojnë çdo ditë se çfarë janë vuajtjet e tyre, cila është dhimbja e tyre, “tha ajo.

76% e grave gambiane të moshës 15-49 vjeç kanë pësuar FGM, sipas një raporti të 2021 nga UNICEF. Kjo procedurë mund të çojë në probleme serioze shëndetësore, duke përfshirë infeksione, gjakderdhje, infertilitet dhe komplikime në lindje dhe dëmton kënaqësinë seksuale.

“Trupi i vajzave është i tyre. FGM ua merr autonominë mbi trupat e tyre dhe shkakton dëm të pakthyeshëm,” tha zyra e OKB-së në Gambia në platformën X përpara debatit.

Aktivistët besojnë se kjo masë e Gambisë do të krijojë një precedent të rrezikshëm për të drejtat e grave.

“Ekziston rreziku i natyrshëm që ky është vetëm hapi i parë drejt regresit dhe mund të çojë në kthimin prapa të të drejtave të tjera si ligji për martesën e fëmijëve etj. Dhe jo vetëm në Gambia, por në të gjithë rajonin,” tha Divya Srinivasan, nga OJQ një për të drejtat e grave.