Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) ka vendosur se vetëm gjinia dhe kombësia janë arsye të mjaftueshme për një vend për t’u dhënë azil grave afgane. Ky vendim vjen pas refuzimit të Austrisë për të njohur dy grave afgane statusin e refugjatëve të cilat aplikuan në vitin 2015 dhe 2020.
Dy gratë e kundërshtuan refuzimin përpara Gjykatës së Lartë Administrative të Austrisë, e cila më pas kërkoi mendimin e GJED-së.
Sipas vendimit të GJED-së, masat diskriminuese të aplikuara nga talibanët përbëjnë akte persekutimi, të cilat justifikojnë njohjen e statusit të refugjatit. “Autoritetet kompetente të shteteve anëtare kanë të drejtë të konsiderojnë se është e panevojshme të vërtetohet se ekziston rreziku që aplikantja faktikisht dhe specifikisht t’i nënshtrohet akteve të persekutimit nëse ajo kthehet në vendin e saj të origjinës,” vendosi GJED.
Deri më tani, Suedia, Finlanda dhe Danimarka tashmë kanë dhënë statusin e refugjatit për të gjitha gratë afgane që kërkojnë azil, shkruan Al Jazeera.