Parlamenti gjerman ka miratuar një ligj të ri, i cili u mundëson grave që abortojnë pas javës së 13-të të shtatzënisë që të kenë mundësi që të marrin lejen e lehonisë.
Shumica e ligjvënësve votuan në favor të projektligjit që synon të mbështesë gratë gjatë një periudhe rikuperimi fizik dhe emocional, tha Sarah Lahrkamp, deputete nga Partia Social Demokrate (SPD).
Sipas ligjit aktual gjerman, gratë kanë të drejtë për pushim të paguar të lehonisë duke filluar gjashtë javë para lindjes dhe duke vazhduar për tetë javë pas lindjes. Megjithatë, kjo nuk zbatohej në rast të një aborti spontan.
Më parë, gratë që kanë përjetuar abort para javës së 24-të të shtatzënisë duhej të aplikonin në mënyrë aktive për leje mjekësore. Nganjëherë ishte e pasigurt nëse do ta merrnin, raporton Deutsche Welle.
Me rregulloren e re, gratë që abortojnë pas javës së 13-të të shtatzënisë do të kenë mundësi të marrin lejen e lehonisë. Megjithatë, gratë nuk janë të detyruara ta marrin atë nëse nuk duan.
Ligji do të diskutohet në Bundesrat, dhoma e lartë e parlamentit gjerman, më 14 shkurt. Nëse miratohet atje, mund të hyjë në fuqi më 1 qershor të këtij viti.
Vlerësohet se në Gjermani ndodhin afërsisht 6000 aborte çdo vit midis javës së 13-të dhe 24-të të shtatzënisë. Megjithatë, shumica (rreth 84,000) ndodhin para javës së 12-të të shtatzënisë, e cila nuk mbulohet nga ligji i ri për pushimin e lehonisë.