Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka kërkuar urdhër arrest për liderët talibanë për krime kundër njerëzimit në baza gjinore, derisa këta të fundit vazhdojnë të shtypin të drejtat e grave dhe vajzave në Afganistan.
Kryeprokurori i GJNP-së tha se “kanë arsye të mjaftueshme për të besuar se udhëheqësi suprem i talibanëve, Haibatullah Akhundzada dhe shefi i drejtësisë së “Emiratit Islamik të Afganistanit”, Abdul Hakim Haqqani, mbajnë përgjegjësi penale për krime kundër njerëzimit në baza gjinore”.
Kërkesat për urdhër arrest nga prokurori i GJNP-së ende duhet të miratohen nga një gjyqtar. Gjithsesi, prokurori shtoi se zyra e tij së shpejti do të kërkojë urdhër të mëtejshëm edhe për anëtarët e tjerë të talibanëve, raporton CNN.
Ky lajm nga GJNP është mirëpritur nga gratë afgane dhe aktivistët për të drejtat e njeriut. “Na jep shpresë që zërat tanë nuk janë harruar dhe se bota ende dëgjon thirrjet tona për barazi dhe drejtësi”, tha një aktiviste afgane.
Edhe organizata joqeveritare, Human Rights Watch mirëpriti këtë urdhër duke u shprehur se kjo është “një kujtesë se drejtësia mund të triumfojë”.
“Talibanët u kanë mohuar në mënyrë sistematike grave dhe vajzave afgane të drejtat e tyre themelore për tre vjet e gjysmë. Ka ardhur koha që ata të mbajnë përgjegjësi për këto krime”, tha Fereshta Abbasi, hulumtuese afgane për HRW.
Kujtojmë se që nga marrja e pushtetit nga talibanët në 2021, grave dhe vajzave iu janë mohuar të drejtat e tyre themelore. Edhe pse asnjë vend nuk njeh talibanët si udhëheqësit legjitim të Afganistanit, vendet si Rusia, Kina dhe Pakistani kanë krijuar lidhje diplomatike me ta.