Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjykata e Apelit anulon aktgjykimin që i cilësoi si të turpshme grafitet e Kolektivit Feminist

QIKA 14.12.2021

Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë që u shqiptoi gjobë për kundërvajtje katër aktivistëve të Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist për aksionin e grafiteve që kishin bërë në Mitrovicë kundër dhunës ndaj grave.

Disa nga grafitet ishin: “Haram është me i mshelë gratë! Dhunuesit e grave në burg!”, “Virgjiniteti është shpikje e burrave!”, “Gruaja nuk o rob i burrit!”, “Trupi jem e drejta jem”, etj. Gjykata Themelore në Mitrovicë këto grafite i kishte cilësuar si të turpshme, me ç’rast kishte gjobitur secilin prej aktivistëve me 100 euro.

Rina Kika, avokatja që përfaqësoi aktivistët/et e Kolektivit Feminist, parashtroi ankesë së bashku me këta të fundit ndaj këtij vendimi duke kontestuar ligjshmërinë e tij. Kështu, Gjykata e Apelit e aprovoi ankesën si të bazuar, duke e anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

“Mbishkrimet feministe në Mitrovicë kanë pasur për qëllim të ngrisin vetëdijen shoqërore ta ndryshojnë mendësinë shtypëse ndaj grave e cila është shkaku rrënjësor i dhunës që e përjetojnë gratë për çdo ditë. Aktgjykimi i gjykatës që i cilëson si të turpshme këto mbishkrime është mohim i këtij problemi kaq të madh, për të cilin nuk flitet sa duhet”, thuhet në ankesën e parashtruar nga aktivistët.

Aktivistët/et e Kolektivit Feminist u shprehën se do të vazhdojnë rezistencën e përbashkët për të kundërshtuar ashpër dhunën dhe shtypjen ndaj vajzave dhe grave.