Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjykata e Lartë e Indisë publikon manualin kundër përdorimit të termave arkaikë për gratë

QIKA 24.8.2023

Gjykata e Lartë e Indisë ka nxjerrë një manual për gjyqtarët, duke u kërkuar atyre që të shmangin fjalët seksiste, mizogjene apo që fajësojnë viktimat.

Termat arkaike që përçmojnë gratë dhe përjetësojnë stereotipet gjinore dëgjohen ende në mënyrë rutinore në gjykatat indiane edhe pse në shumë vende tjera ato janë hequr nga përdorimi. Nuk është e pazakontë që një grua të përshkruhet si e dëlirë ose e zonja, dhe ngacmimi seksual zakonisht banalizohet si “ngacmim i Evës”.

Gjykata supreme tha se Manuali i saj mbi Luftimin e Stereotipeve Gjinore kishte për qëllim të sigurojë që “arsyetimi dhe shkrimi ligjor të mos kenë nocione të dëmshme për gratë”, raporton The Guardian.

“Nëse gjyqtarët mbështeten në stereotipe të dëmshme, kjo mund të çojë në një shtrembërim të zbatimit objektiv dhe të paanshëm të ligjit. Kjo do të përjetësojë diskriminimin dhe përjashtimin”, shkroi në manual shefi i drejtësisë së Indisë, Dhananjaya Y Chandrachud.

Chandrachud aludoi për një nga skenarët më seksistë që mund të luhet në sallat e gjyqit: kur gjyqtarët pyesin një përdhunues të dyshuar nëse ai është i përgatitur të martohet me viktimën mbi bazën se të qenit një grua e martuar do të pakësojë çnderimin e saj dhe do t’i japë asaj respekt.

“Martesa nuk është një ilaç për dhunën e përdhunimit”, shkroi ai në manual.

Ai kritikoi gjithashtu supozimet kulturore që qëndrojnë pas vendimeve që nënkuptojnë se gratë kanë karakteristika të qenësishme, për shembull se të gjitha gratë duan fëmijë ose janë më emocionale se burrat. Duke pasur parasysh se këto supozime ende mbizotërojnë në shoqërinë indiane, mbetet për t’u parë se sa e suksesshme do të jetë shtysa gjuhësore në ndryshimin e gjërave.