Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjykata e Lartë në Rusi cilëson lëvizjen LGBT si ekstremiste

QIKA 14.12.2023

Gjykata e Lartë e Rusisë ka nxjerrë vendim që e emërton lëvizjen ndërkombëtare LGBT si një “organizatë ekstremiste”, kështu duke rrezikuar të gjitha format e aktivizmit të të drejtave LGBT në Rusi sipas Human Rights Watch.

Në një seancë të mbyllur, Gjykata e Lartë vendosi në favor të padisë së Ministrisë së Drejtësisë që akuzonte lëvizjen LGBT për nxitje të mosmarrëveshjeve sociale dhe fetare.

“Lëvizja e autoriteteve me sa duket i shërben një qëllimi të dyfishtë”, tha Tanya Lokshina, drejtoreshë e asociuar për Evropën dhe Azinë Qendrore në Human Rights Watch. “Kjo ka për qëllim të rrisë mbështetjen e konservatorëve ndaj Kremlinit përpara votimit presidencial të marsit 2024 dhe të paralizojë punën e grupeve të të drejtave që luftojnë diskriminimin dhe mbështesin njerëzit LGBT”, shtoi ajo.

Sipas ligjit penal rus, pjesëmarrja ose financimi i një organizate ekstremiste dënohet deri në 12 vjet burg. Një person i shpallur fajtor për shfaqjen e simboleve të grupeve të tilla përballet me deri në 15 ditë paraburgim për veprën e parë dhe deri në katër vjet burg për një vepër të përsëritur. Autoritetet mund të përfshijnë individë të dyshuar për përfshirje me një organizatë ekstremiste në listën e ekstremistëve mbarëkombëtar dhe të ngrijnë llogaritë e tyre bankare. Personave që mendohet se janë të përfshirë në një organizatë ekstremiste poashtu u ndalohet të kandidojnë për poste publike.

Në një paraqitje të 28 nëntorit në Gjykatën e Lartë, shtatë grupe të njohura ruse të të drejtave thanë se një vendim për të mbështetur padinë e Ministrisë së Drejtësisë do të ishte diskriminues dhe do të shkelte një gamë të gjerë të drejtash.

Autoritetet ruse kanë keqpërdorur prej kohësh legjislacionin e gjerë dhe të paqartë të Rusisë kundër ekstremizmit për të ndjekur penalisht kritikët paqësorë. Në vitin 2021, Gjykata e Qytetit të Moskës dënoi tre grupe të lidhura me figurën kryesore të opozitës Alexey Navalny me arsyetimin që ishin ekstremiste.

“Sulmi ndaj të drejtave LGBT është bërë një simbol i refuzimit të të drejtave universale të njeriut nga Rusia, pasi qeveria e pozicionon Rusinë si mbrojtëse të të ashtuquajturave vlera tradicionale”, tha Lokshina.