Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjykata Kushtetuese e Ugandës refuzon peticionin kundër kriminalizimit të homoseksualitetit

QIKA 5.4.2024

Akti kundër Homoseksualitetit i miratuar në vitin 2023 përcakton dënime deri në burgim të përjetshëm për marrëdhëniet konsensuale të të njëjtit seks dhe vdekje të mundshme në rastet e ‘homoseksualitetit të agravuar’.

Ligji i miratuar në maj ka shkaktuar frikë e zemërim te personat LGBTIQ+ dhe aktivistët/et për të drejta të njeriut, ai është kritikuar si një nga ligjet më të ashpra kundër të drejtave të njeriut nga Kombet e Bashkuara dhe vendet perëndimore.

Dy profesorë të drejtësisë nga Universiteti Makerere në Kampala, disa ligjvënës dhe aktivistë të të drejtave të njeriut kanë dorëzuar një peticion kundër ligjit i cili shkel të drejtat themelore të njeriut.

Gjykata Kushtetuese e Ugandës e përbërë prej pesë anëtarësh mori një vendim unanim për të refuzuar peticionin kundër ligjit, i cili gëzon mbështetje të gjerë popullore në vend, ani pse pranoi se ky ligj shkel disa të drejta.

Në një deklaratë të postuar në X, Forumi i Ndërgjegjësimit dhe Promovimit të të Drejtave të Njeriut me bazë në Ugandë, paralajmëroi se vendimi për fat të keq do të nxisë shkeljet e të drejtave të njeriut kundër personave LGBTIQ+ në vend.

Steven Kabuye, një aktivist 25-vjeçar dhe drejtor ekzekutiv i grupit të avokimit Colored Voice Truth for LGBTQ, gjithashtu paralajmëroi kundër rreziqeve të vendimit të gjykatës. Në janar, ai u godit me thikë nga sulmues të panjohur.

Homoseksualiteti është kriminalizuar në më shumë se 30 nga 54 vendet e Afrikës. Disa afrikanë e shohin atë si sjellje të importuar nga perëndimi dhe jo një orientim seksual, raporton Al Jazeera.