Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shfuqizuar Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), pasi gjeti se disa nene të ligjit, nuk janë përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Nënparagrafët që u gjetën se nuk janë në përputhje me ligjet kanë të bëjnë me zgjedhjen e anëtarëve të KPM-së, shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit, kompetencat e KPM-së, rregullimi i pronësisë së të licencuarve dhe disa pika të nenit që ka të bëjë me sanksionet dhe gjobat.
Kujtojmë se QIKA pati raportuar se ndër të tjerash ky ligj cenonte edhe përfaqësimin gjinor, sepse ligjërisht nuk garantonte përfaqësim proporcional gjinor në KPM dhe nuk përcaktonte numrin minimal të anëtareve gra, çka krijonte mundësinë që në përbërjen e këtij Komisioni të mos ketë asnjë grua.
“Aktgjykimi sqaron se, përkitazi me pretendimin e parashtruesve të kërkesave se paragrafi 2 i nenit 15 të Ligjit të kontestuar, që përcakton se zgjedhja e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave “reflekton parimet e barazisë gjinore sipas legjislacionit përkatës për barazi gjinore”, në ndërlidhje me paragrafi 6 të nenit 14 të Ligjit të kontestuar që përcakton se “përbërja e anëtarëve të KPM-së pasqyron karakterin shumetnik dhe gjinor të Kosovës”, është në kundërshtim me nenet 7 [Vlerta] dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, pasi nuk garantohet përfaqësim gjinor në përbërjen e Komisionit të Pavarur të Mediave, Gjykata rikujtoi praktikën e saj gjyqësore, ku ka theksuar se kuota prej pesëdhjetë përqind (50%) e normuar në paragrafin 8 të nenit 6 (Masat e veçanta) të Ligjit Nr.05/L-020 për Barazi Gjinore nuk është, në vetvete, një kuotë ligjore për përfaqësim të detyrueshëm”, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës Kushtetuese.
Miratimi i Ligjit për KPM-në, më 2024, kishte nxitur kundërshti nga grupet që mbrojnë të drejtat e mediave, nga partitë në opozitë, si dhe nga Bashkimi Evropian.