Gjykata Supreme ia ka ulur dënimin të akuzuarit për vrasjen e bashkëshortes së tij, Edmond Lajqi, nga dënimi me burgim të përjetshëm në dënimin me burgim prej 30 vitesh. Lajqi ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Pejës me burgim të përjetshëm dhe ky vendim ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.
Në njoftimin e Gjykatës Supreme thuhet se: “Gjykata Supreme ka vendosur që të pandehurit E.L., i shpallur fajtor për veprat penale vrasje e rëndë, nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit Penal, t’i shqiptohet dënimi me 30 (tridhjetë) vjet burgim, në të cilin do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 16 prill 2024.”
Sipas Supremes, Gjykatat e shkallëve më të ulëta nuk kanë zbatuar drejtë Kodin Penal lidhur me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm.
Tutje sipas Gjykatës Supreme, një pjesë e rrethanave veçanërisht rënduese nuk kanë pasur mbështetje në prova, ndërsa disa përbëjnë element të vetë veprës penale dhe për këtë arsye nuk mund të shqiptohet dënim më të rëndë.
“Gjykata Supreme ka theksuar se burgimi i përjetshëm mund të shqiptohet vetëm në raste kur ekzistojnë rrethana veçanërisht rënduese që e dallojnë qartë rastin konkret nga rastet e zakonshme të së njëjtës vepër penale dhe kur një dënim më i butë nuk do të ishte proporcional me peshën e veprës dhe fajësinë e kryerësit”- thuhet tutje në njoftim.
Sipas Prokurorisë, Edmond Lajqi më datë 16.04.2024, rreth orës 8:00 të mëngjesit, në banesën e tij në Pejë, kishte privuar nga jeta me armë zjarri bashkëshorten e tij, viktimën Gjyljeta Ukella.
Këtë veprim sipas organit të ndjekjes i akuzuari e ka ndërmarrë për shkak të problemeve të vazhdueshme që i njëjti kishte pasur me viktimën, duke i ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike me herët, shkruan Kallxo.com.
Pas publikimit të vendimit të Gjykatës Supreme, ka reaguar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës, ku kanë shprehur shqetësimin e thellë për uljen e dënimit ndaj Lajqit. “Çdo vendim që rezulton në zbutjen e dënimeve për vrasjet e grave dërgon një mesazh shqetësues për viktimat, familjet e tyre dhe gjithë shoqërinë. Femicidi është forma më ekstreme e dhunës me bazë gjinore dhe kërkon përgjigje të vendosur nga sistemi i drejtësisë”, thuhet në reagim.