Një grua ka folur publikisht në emisionin “Udhëve” të RTK-së për të treguar dështimin e institucioneve të drejtësisë në rastin e saj, e veçanërisht dështimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës.
Vitin e kaluar ajo kishte denoncuar ish-partnerin e saj për dhunim në polici. Anipse ajo edhe ishte kidnapuar dhe rrahur brutalisht dhe i njëjti e kishte kanosur me armë, prokuroria kishte ngritur aktakuzë vetëm për dhunim.
Mjeku ligjor dhe gjinekologu e kishin konstatuar dhunimin, përpos kësaj, viktima posedonte edhe prova tjera të dhunës së vazhdueshme fizike që kishte përjetuar.
Në bazë të raportit të gjinekologut dhe mjekut ligjor prokuroria e ngriti aktakuzën për dhunim. Kurse trupi gjykues nuk i besonte këtij konstatimi, ata kishin kërkuar “superekspertizë” mbi dhunimin.
Megjithatë, edhe pse të gjitha ishin të konfirmuara, trupi gjykues vendos që ta rikualifikoj veprën penale nga “dhunim” në “sulm të lehtë trupor”, thuhet në emision.
Për shkak që trupi gjykues kishte rikualifikuar veprën në “sulm të lehtë trupor”, i akuzuari është dënuar minimalisht.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, dhunimi dënohet nga 2 deri në 10 vjet burgim, ndërsa dhunimi në rrethana të torturës, trajtimit çnjerëzor, përdorimit të forcës, shkaktimit të lëndimeve të leha trupore, kanosjes apo përdorimit të armës – dënohet prej 5 deri në 15 vjet burgim.
Lidhur me këtë rast, aktivistët në Mitrovicë kanë organizuar edhe protestë për ta kundërshtuar vendimin e gjykatës.