Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë afgane po këndojnë për të kundërshtuar ligjin e talibanëve që ndalon zërat e grave në publik

QIKA 9.9.2024

Gratë afgane, brenda dhe jashtë vendit, po publikojnë video të tyre duke kënduar në shenjë revolte kundër ligjit të talibanëve që ndalon zërat e grave në publik – duke mos i lejuar që të këndojnë apo lexojnë me zë në hapësira publike.

Në fund të muajit të kaluar, talibanët publikuan kufizime të reja në një dokument me 35 artikuj i cili përfshin një sërë ligjesh drakoniane që zërin e grave e konsiderojnë si “instrumente të vesit” dhe përcaktojnë se gratë nuk duhet të këndojnë ose lexojnë me zë të lartë në publik dhe as të lejojnë që zërat e tyre të kalojnë përtej mureve të shtëpive të tyre.

Gratë po kundërshtojnë përpjekjet sistematike të talibanëve për të fshirë ato nga jeta publike. “Asnjë ligj, sistem apo burrë nuk mund t’ia mbyllë gojën një gruaje afgane,” tha një 23-vjeçare pasi postoi videon e saj 39 sekondëshe teksa këndonte “Unë nuk jam shelg i dobët që dridhet në çdo erë. Unë jam nga Afganistani”.

Në një video tjetër, që besohet se u incizua në Kabul, një grua e veshur në të zeza shfaqet teksa këndon ”E keni heshtur zërin tim për të ardhmen e parashikueshme. Më keni burgosur në shtëpi për krimin e të qenit grua.”

Video të tjera që shfaqin gra në mbarë Afganistanin duke kënduar vetëm ose në grupe, po publikohen me hashtag si “#My voice is not forbidden” (Zëri im nuk është i ndaluar) dhe “#No to Taliban” (Jo talibanëve).

Ligjet poashtu i detyrojnë gratë të veshin rroba të trasha që mbulojnë plotësisht trupin e tyre – duke përfshirë fytyrën – derisa janë në publik, dhe i ndalon ato t’i shikojnë drejtpërdrejt burrat me të cilët nuk kanë lidhje gjaku apo martesore. Mosrespektimi i këtyre ligjeve është i dënueshëm, por i papërcaktuar. Ndalimi dhe ndëshkimi do të përcaktohen varësisht se si zyrtarët talibanë e konsiderojnë të përshtatshme.

OKB këtë situatë e ka konsideruar si aparteid gjinor dhe bashkë me aktivistë/e për të drejtat e njeriut kanë kërkuar që ligji të shfuqizohet.

Që kur talibanët u kthyen në pushtet në vitin 2021, kanë gërryer në mënyrë të vazhdueshme të drejtat e grave, shkruan The Guardian. Mes tjerash, në fillim të këtij viti ata patën njoftuar se do të rifillonin praktikën e vrasjes me gurë të grave për tradhti bashkëshortore.