Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë çeke po luftojnë për të kriminalizuar seksin jo-konsensual

QIKA 7.6.2021

Jovana Novak, nga Praga, kishte ngritur paditur sulmuesit të saj në vitin 2019 dhe duroi çështjen  gjyqësore 18 muaj. “Kam pasur të gjitha provat, mesazhet rrënqethëse, shënimet mjekësore”, tha Novak, emri i së cilës është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e saj. “Por asnjë prej tyre nuk ishte e mjaftueshme”, shtoi ajo.

Përderisa gjykata konstatoi se kishte pasur marrëdhënie seksuale jo-konsensuale, i pandehuri u lirua nga akuza për shkak se nuk kishte prova të mjaftueshme të vërtetonte se ishte përdhunim. Novak shprehi më pas shqetësimin duke thënë: “Unë u ndjeva shumë keq kur dëgjova vendimin e gjykatës; sikur fakti që ai më përdhunoi nuk ishte disi i mjaftueshëm”.

Legjislacioni në Republikën Çeke përkufizon përdhunimin si dhunë ose kërcënim për dhunë dhe abuzim me paaftësinë e viktimës për vetëmbrojtje. Aktivistët argumentojnë se ky përkufizim është shumë i ngushtë dhe kontribuon në numrin e vogël të raportimeve për përdhunime apo ngacmime seksuale.

Vlerësohet se rreth 12,000 përdhunime ndodhin çdo vit në Republikën Çeke. Sipas Johana Nejedlová, themeluese e Konsent, një organizatë jofitimprurëse që bën fushatë kundër dhunës seksuale, tha se vetëm rreth 600 nga këto raportohen. Vetëm 78 raste në 2019, përfunduan në ndjekje penale të suksesshme, raporton The Guardian.

Përkufizimi aktual ligjor është dështim për mbrojtjen e  viktimave, tha Lucie Hrdá, një avokate dhe mbrojtëse e të drejtave të grave. Ajo përshkroi një rast kur klientja e saj ishte mbyllur në shtëpinë e saj dhe ishte përdhunuar. Pavarësisht nga provat, të cilat përfshinin një mesazh me tekst që thoshte “më fal që të përdhunova”, gjykata e liroi sulmuesin sepse gjeti se ai nuk kishte përdorur dhunë fizike ndaj saj dhe gjeti se ajo nuk përshtatet me përkufizimin e “të pambrojturës”.

Zbërthimi i ngushtë i ligjit paraqet qëndrime se seksi jo-konsensual nuk është gjithmonë i gabuar, tha Nejedlova. Pothuajse një e katërta e njerëzve në Republikën Çeke mendojnë se detyrimi i një partneri për të bërë seks nuk duhet të jetë në kundërshtim me ligjin, sipas një raporti të Komisionit Evropian mbi dhunën me bazë gjinore.

Republika Çeke është në pragun e skandalit politik në lëvizjen #MeToo, i cili po nxit një debat rreth qëndrimeve ndaj dhunës seksuale dhe ngacmimeve. Dominik Feri, një politikan në partinë politike pro-BE Top09, dha dorëheqjen në maj pas akuzave për përdhunim dhe sulm seksual. Feri, i cili ka hedhur poshtë me forcë të gjitha akuzat për dhunë seksuale dhe sulm, pranoi në një postim në Instagram se sjellja e tij e kaluar ndonjëherë ishte e papërshtatshme.

Nëse ligji ndryshohet, Republika Çeke do të bashkohej me pakicën e vendeve evropiane që kanë ligje që përcaktojnë përdhunimin si seks pa pëlqim, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Irlandën, Belgjikën, Qipron, Luksemburgun, Islandën, Gjermaninë dhe Suedinë.