Raportimet e dhunimeve seksuale në Mali janë shtuar në numër që nga fillimi i konfliktit në vitin 2012.
“Nëse nuk janë militantët që sulmojnë shtëpitë dhe vrasin njerëz, janë ushtarët e bardhë (paraushtarakët rusë) që torturojnë dhe abuzojnë seksualisht me gratë. Të jetosh në Mali është bërë e rrezikshme”, tha Heita, një grua 45 vjeçare që iku nga Mali për në Nigeri.
Vitin e kaluar, ekspertët e OKB-së thanë se, që nga viti 2021 kanë pranuar rrëfime alarmante të abuzimeve të të drejtave të njeriut që përfshijnë dhunimet seksuale të kryera nga forcat e armatosura të Malit dhe paraushtarakët rusë, raporton Al Jazeera.
Në vitin 2023, Human Rights Watch raportoi se grupet e armatosura në veri të Malit po kryenin vrasje të përhapura, përdhunime dhe plaçkitje në fshatrat në verilindje të vendit, luftëtarët po sulmonin rrugët ku jetonin vajzat dhe dhunuan gra.
Duke ikur nga dhuna në Mali, më shumë se 10,000 gra dhe burra janë strehuar në Ayourou, një qytet afër Nigerisë. Mirëpo, gjatë këtij rrugëtimi, në kufi të Malit me Nigeri, gratë përjetuan sulme të tjera.
Kani, një 17 vjeçare që po ikte nga dhuna në Mali për në Nigeri, kur mbërriti në kufi u ballafaqua me burra të armatosur. “Ata ndanë burrat nga gratë dhe urdhëruan që gratë të futeshin në një tendë të vogël. Aty u përdhunuam të gjitha me radhë”, tha ajo.
“Në një moment, ata filluan të na rrahin me armë dhe kamxhik vetëm për të na ndalur së foluri”, tha Coumba, një tjetër vajzë 17 vjeçare e cila po ashtu u përdhunua.
Viktimat e dhunimit seksual ishin të gjitha vajza të reja që thanë se iu lutën sulmuesve të tyre që të mos i lëndonin sepse ishin të lodhura dhe të uritura pas udhëtimit të gjatë që kishin bërë pa ushqim dhe pa ujë të mjaftueshëm.
Deirsa mizoritë në Mali vazhdojnë, ata që i kanë mbijetuar abuzimit ende jetojnë me torturat.
“Sa herë që shoh një burrë me armë, kam frikë se ai do të më përdhunojë. Unë thjesht nuk mund të kapërcej abuzimet me të cilat u përballa në Mali”, shton Kani.