Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë marrin 35% më pak pensione se burrat për shkak punëve të kujdesit

QIKA 18.9.2023

Fondet private të pensioneve të grave janë 35% më të ulëta se ato të burrave, sipas vlerësimeve zyrtare të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Përderisa hendeku gjinor i pensioneve private mbetet jashtëzakonisht i madh, hendeku midis burrave dhe grave në pensionet shtetërore është ngushtuar ndjeshëm dhe parashikohet të barazohet në fillim të viteve 2040, raporton BBC.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se futja e regjistrimit automatik në pensionet e vendit të punës, që do të thotë se punonjësit i bashkohen skemave të pensioneve profesionale, nëse nuk zgjedhin të heqin dorë, ka transformuar peizazhin e pensioneve në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka sjellë miliona gra në kursime pensionesh për herë të parë.

Punët e kujdesit rëndojnë mbi gratë disproporcionalisht, kështu duke i larguar nga vendet e punës dhe duke ua ulur atyre shanset e pensionit. Rowan Davies, aktualisht është në pushim të lehonisë ndërsa kujdeset për djalin e saj pesë muajsh Mabon. Ajo tha se ishte shumë e vetëdijshme për çështjen e pensioneve, dhe kështu ajo po planifikon të kthehet në punë pas gjashtë muajsh.

“Financat dhe të ardhurat e familjes janë një faktor i madh në shumë biseda që unë dhe bashkëshorti im kemi për tani dhe për të ardhmen,” tha ajo.

Gretchen Betts, drejtore menaxhuese e Magenta Financial Planning, tha se shpesh ishte një ngjarje e madhe jetësore që i bënte njerëzit të mendonin se si do të përballonin jetën në pension.

“Veçanërisht në rastet e divorcit apo vdekjes ku ndoshta, në mënyrë stereotipike, burri ka marrë drejtimin në vendimet financiare, nxjerr në pah një boshllëk rreth shkrim-leximit për shumë gra,” tha ajo.

Organizata bamirëse e barazisë Chwarae Teg tha se punëdhënësit mund të “mbështesin gratë duke pasur praktika më fleksibile të punës”.

“Punëdhënësit mund ta rregullojnë më mirë pushimin e përbashkët prindëror, lejen e kujdestarisë dhe të kultivojnë një kulturë që është mbështetëse për gratë dhe problemet që ato bartin,” tha Bethan Airey nga Chwarae Teg.