Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë në Islandë organizojnë grevën më të madhe gjithëditore në historinë e vendit

QIKA 23.10.2023

Dhjetëra mijëra gra në Islandë, duke përfshirë edhe kryeministren, priten ta ndërpresin punën – me pagesë dhe pa pagesë – këtë të marte. Kjo grevë është e para e këtij lloji në pesë dekadat e fundit.

Organizatorët shpresojnë se greva e grave do ta sjellë shoqërinë në një pikë reflektimi dhe do t’i tërheq njerëzit për të kthyer vëmendjen te hendeku i vazhdueshëm gjinor i pagave në vend dhe dhunës së përhapur me bazë gjinore dhe seksuale. Pjesëmarrëset e konfirmuar të grevës përfshijnë punëtore të industrisë së peshkimit, mësuese, infermiere dhe poashtu kryeministren Katrín Jakobsdóttir.

Ngjarja do të shënojë grevën e parë gjithëditore të grave që nga viti 1975, kur 90% e grave islandeze refuzuan të punojnë si pjesë e “kvennafrí” (dita e pushimit të grave), duke çuar në ndryshime thelbësore, duke përfshirë rastin e parë në botë kur një grua u zgjodh presidente shteti.

Por organizatorët e grevës e së martës, disa prej të cilëve morën pjesë në grevën e vitit 1975, thonë se kërkesa thelbësore që puna e grave të vlerësohet mbetet e paplotësuar edhe pas 48 vitesh.

Pavarësisht se Islanda konsiderohet si lidere globale për barazinë gjinore, duke kryesuar renditjen globale të hendekut gjinor të Forumit Ekonomik Botëror 2023 për të 14-tin vit radhazi, në disa profesione gratë islandeze ende fitojnë 21% më pak se burrat dhe më shumë se 40% e grave kanë përjetuar dhunë me bazë gjinore apo dhunë seksuale.

Organizatorët e grevës thonë gjithashtu se punët e lidhura tradicionalisht me gratë, si pastrimi dhe kujdesi, vazhdojnë të jenë të nënvlerësuara dhe të papaguara.

“Zakonisht për Islandën flitet sikur të jetë një parajsë e barazisë”, tha Freyja Steingrímsdóttir, një nga organizatoret e grevës dhe drejtoresha e komunikimit për BSRB, Federata Islandeze për Punëtorët Publikë. “Por një parajsë barazie nuk duhet të ekzistoj një hendek 21% në paga dhe aty nuk duhet që 40% të grave të përjetojnë dhunë me bazë gjinore ose seksuale. Kjo nuk është arritja për të cilën gratë në mbarë botën po luftojnë. Duke pasur reputacionin global që ka Islanda, ne kemi përgjegjësinë të sigurohemi t’i përmbushim ato pritshmëri”, shtoi ajo.

Duke vepruar nën sloganin “Kallarðu þetta jafnrétti?” (Ju këtë e quani barazi?), greva është rezultat i një lëvizjeje me burim në komunitet dhe po planifikohet nga rreth 40 organizata të ndryshme, raporton The Guardian.

Grave në të gjithë vendin po u kërkohet të mos bëjnë asnjë punë të paguar ose të papaguar të martën, për të demonstruar rëndësinë e kontributit të tyre në shoqëri. Të paktën 25,000 njerëz pritet të marrin pjesë në një ngjarje në qendrën e qytetit Reykjavík dhe shumë të tjerë do të marrin pjesë në 10 ngjarje të tjera në mbarë vendin – duke e bërë këtë grevën më të madhe të grave në Islandë.

Greva kërkon mbylljen e hendekut gjinor të pagave duke publikuar pagat e punëtorëve në profesionet mbizotëruese nga gratë dhe për veprim kundër dhunës me bazë gjinore dhe seksuale.