Një studim i publikuar javën e kaluar tregon se gratë që jetojnë në shtetet ku e drejta e abortit është e ndaluar apo kufizuar, po vazhdojnë të kryejnë aborte në shkallë të ngjashme krahasuar me periudhën para se Gjykata Supreme të shfuqizonte Roe v Wade.
Sipas raportit #WeCount, të publikuar të martën nga Society of Family Planning, gratë që jetojnë në shtete me kufizime të ashpra po udhëtojnë në shtete të tjera për të kryer procedurën dhe po përdorin gjithnjë e më shumë teleshëndetin (për të porositur pilula aborti të cilat u vijnë me postë).
Numri i aborteve në shtetet me ndalime në të gjitha fazat e shtatzënisë ra afër zeros, poashtu edhe në shtetet ku ndalimet fillojnë rreth javës së gjashtë të shtatzënisë – periudhë kur shumë gra nuk e dijnë që janë shtatzënë.
Por në nivel kombëtar statistikat janë shumë më ndryshe – afërsisht në të njëjtin nivel ose pak më të lartë se përpara vendimit, raporton Al Jazeera. Studimi ka gjetur se rreth 98,000 aborte kanë ndodhur çdo muaj në gjysmën e parë të 2024, më shumë se 81,000 në baza mujore nga prilli deri në dhjetor 2022 dhe rreth 88,000 në vitin 2023.
Në fakt, sondazhi #WeCount zbuloi se gratë që jetojnë në shtetet me ndalime po kryenin aborte në numër të përafërt me vitin 2020.
Një ofrues kryesor i pilulave përmes teleshëndetit është Massachusetts Abortion Access Project. Bashkëthemeluesja e projektit, Angel Foster tha se ata përshkruajnë receta për rreth 500 paciente në muaj, kryesisht në shtetet me ndalime, që kur filluan punën në shtator 2023.
Sa i përket funksionimit të teleshëndetit dhe ofrueseve të kujdesit shëndetësor sipas kësaj forme nuk kanë hasur në sfida të mëdha ligjore nga shtetet ku procedura e abortit është e ndaluar apo kufizuar por kundërshtuesit e abortit janë përpjekur të heqin nga tregu një nga pilulat kryesore të abortit. Megjithatë, në fillim të këtij viti Gjykata Supreme në ShBA vendosi njëzëri që të ruaj qasjen në pilulën e abortit, Mifepristone.